Telegrafi

Personat me grip sezonal të mos marrin vaksinat kundër A/H1N1

Edhe pse për momentin Klinika Infektive në Prishtinë raporton se ka rënie të rasteve të prekura nga gripi i derrit, mjekët e kësaj klinike janë në përgatitje për një valë të re të gripit, që nga muaji janar. Ndërkohë, zyrtarët e larët të Ministrisë së Shëndetësisë apelojnë që personat me sëmundje kronike si dhe të moshuarit të shkojnë në qendrat e mjekësisë familjare dhe të vaksinohen, sepse ajo do të jetë mbrojtja më e mirë e tyre kundër gripit.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë kundër-indikacionet janë vërejtur më së shumti tek personat të cilët kanë marrë vaksinën, ndërkohë që paraprakisht kanë qenë të prekur nga gripi sezonal. Ata thonë se më mirë është që të pritet derisa të shërohen e më vonë ta marrin vaksinën kundër A/H1N1.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 829 raste të të prekurve nga gripi i derrit ndërkohë që në mënyrë fatale kanë përfunduar 14 prej tyre. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se nëse fillohet herët me marrjen e vaksinave, vala e re e paralajmëruar e gripit të derrit, e cila pritet të vjen në vendin tonë, do të mund të tejkalohet shumë më lehtë. /rtk/telegrafi/