Telegrafi

Përshpejtohet ndarja e 20-përqindëshit

Nga kjo shumë, punëtorëve u takojnë pak më shumë se 80 milionë euro. Mirëpo, atyre deri më tani u janë shpërndarë vetëm 18,6 milionë euro, ose diçka më shumë se një e treta e parave që u takojnë.

Anëtari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bahri Shabani, pohon se shpërndarja e mjeteve të 20 përqindëshit mbetet një ndër prioritetet kryesore të agjencisë.

“Ka një përshpejtim të këtij procesi, por ky proces është paksa i komplikuar, pasi që listat, të cilat aprovohen nga bordi i AKP-së, duhet të verifikohen përmes odës së veçantë, kështu që mund të jetë një vonesë reale kur kihet parasysh se është bërë një numër i madh i listave të punëtorëve”, thotë zoti Shabani.

Sipas përfaqësuesve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo agjenci ka rritur numrin e punëtorëve që do të punojnë në njësinë e 20 përqindëshit. Sipas tyre, AKP ka krijuar një njësi të veçantë, që do të merret ekskluzivisht me shqyrtimin e ankesave të punëtorëve.

Prioritet tjetër i Agjencisë mbetet edhe nënshkrimi i kontratave dhe transferimi sa më i shpejtë i aseteve dhe pronës tek pronarët e rinj, proces ky i cili thuhet se po shkon me një ritëm shumë dinamik.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nga marrja e kompetencave nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ka shpallur katër raunde të privatizimit. /rel/