Telegrafi

Përsëri mund të shtyhet debutimi i Neymarit te PSG, për çështje dokumentacioni

Neymar gjatë prezantimit

Debutimi i Neymarit me Paris Saint-Germainin mund të shtyhet sërish, pasi autoritetet franceze të futbollit akoma nuk kanë marrë sqarime rreth transferimit të tij rekord prej 222 milionë eurosh nga Barcelona.

Federata Spanjolle e Futbollit ka kohë deri të enjten mbrëma që t’ia dërgojë dokumentacionin e nevojshëm Ligës Franceze të Futbollit (LFP) që drejton me Ligue 1.

Lexo po ashtu PSG kërkon t’ia plotësojë dëshirën Neymarit me Coutinhon partner

Nëse ky afat tejkalohet, atëherë sulmuesi brazilian nuk do të mund të luajë të dielën kundër Guingampit.

Të kontaktuar nga BBC Sport, nga LFP kanë thënë se është duke u diskutuar një procedurë zyrtare në bashkëpunim me FIFA-n për këtë çështje.

Nga ana tjetër, nga FIFA kanë thënë se nuk janë kontaktuar nga autoritetet franceze në lidhje me Neymarin, kurse Federata Spanjolle e Futbollit nuk ka komentuar asgjë.

Në këtë paqartësi, kujtojmë që 25-vjeçari nuk luajti të shtunën e kaluar kundër Amiens. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Mësohet numri real i fanellave të shitura të Neymarit dhe çmimi që ka përfituar PSG në ditën e parë (Foto)