Gjyqtarët sërish dështojnë. Nga 22 sa kanë hyrë në test teorik dhe fizik, vetëm tre prej tyre i kanë kaluar. Kështu gjyqtarët sërish kanë pasur probleme në aspektin fizik, pasi kishin probleme edhe para dhjetë ditësh. As testimi i dytë nuk doli pozitiv dhe vetëm tre gjyqtarë kaluan testin.
Komisari i Garave, Bajrush Ademi, ka njoftuar për rezultatet e testit. “22 gjyqtarë kanë hyrë në test dhe vetëm tre i kanë kaluar plotësisht. Ata janë: Artan Gashi, Dren Pudarolli dhe Ardian Rrustemi. Më herët e kanë kaluar nëntë gjyqtarë. Ne i kemi dërguar listën Bordit të FBK-së dhe ata do të vendosin a do të gjykojnë për javën e parë të stinorin pranveror në ETC Superligën e Kosovës në basketboll. Nga tetë vëzhgues sa kanë hyrë, gjashtë kanë kaluar”, ka thënë Ademi për ‘Sport Plus’.
Kryetari nuk është i kënaqur
Njëri ndër të rënit është kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës, Alban Vula. Ai nuk është shprehur shumë i kënaqur me rezultatet e testit. “Realisht numri i gjyqtarëve që kaluan në ritestim nuk është i kënaqshëm. Por, në përgjithësi rezultatet ishin të mira, bazuar me testimin e mbajtur në fillim të këtij muaji. Personalisht nuk kam pritur që të përparojë kaq shumë brenda një jave. Sikur të kishim edhe një javë më shumë, sigurisht se të gjithë do ta kalonin”, ka theksuar Vula. Testi i parë ishte më 2 shkurt. “Me rëndësi është se gjyqtaret janë treguar superior në pjesën teorike që do të thotë se rregullat i dinë shumë mirë. Ndërsa, kondicioni fitohet gradualisht. As në vendet e rajonit të gjithë gjyqtarët nuk i kalojnë testimet fizike që janë më të vështirat në sport”, nënvizoi i pari i gjyqtarëve të basketbollit të Kosovës. /SportPlus/Telegrafi/
Më herët kaluan
Astrit Kasapolli
Egzon Maloku
Hazir Haxha
Xhelal Mumini
Faton Kurshumliu
Burim Berisha
Xhavit Beqiri
Daut Mehmeti
Atdhe Goçaj