Kohëve të fundit në vendet ballkanike shihet të ketë një intensifikim të nacionalizmit ekstrem. Terma të lënë paksa në hije nga kompleksiteti i zhvillimeve ekonomike dhe politike duket se po rrimarin një rol nganjëherë esencial në kryeartikujt e gazetave dhe agjendat e qeveritarëve të rajonit.
Duke pretenduar se ideologjia e tyre është e vetmja e drejtë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë mosmarrëveshjet ndëretnike sikurse mbajnë peng zhvillimin për brezat e ardhshëm.
Është e vështirë të gjesh ndër segmentet kohore të historisë së zhvillimit të Ballkanit vite apo dekada kur konfliktet ndëretnike të kenë qenë të papërfillshme apo inekzistente. Edhe gjate periudhës së zhvillimit socialist, dhe pavarësisht balancimit ndëretnik anemik që Tito vendosi në Jugosllavi konfliktet ndëretnike ishin prezente.
Termat personifikues për këto grupe nuk do të mungonin dhe do të ndryshonin së bashku me kontestin e zhvillimeve politike duke i konsideruar ata si nacionalistë, ultranacionalistë, seperatistë, komunistë dhe deri në ditët e sotme kur termi terroristë do të ishte personifikim me gamë botërore dhe që përdoret për të marrë sa më tepër simpati ndërkombëtare në luftën ndaj këtyre grupeve.
Një ndër elementët kryesorë të kundërvënies dhe luftës ndaj tyre është “sulmi” ndaj strukturës organizative të tyre. Fatkeqësisht shohim se grupet nacionaliste në Ballkan janë individualisht vepruese ose të mbështetura nga grupe te krimit të organizuar dhe që përdorin nocione nacionaliste si armë për të shtrirë veprimtarinë e tyre në territore te caktuara. Rasti i thirrjeve nacionaliste të ushtarëve greke gjatë një parade në përvjetorin e ushtrisë greke është një fakt rrëqethës sikurse janë edhe veprimet e grupeve kriminale serbe që kontrollojnë segmente të pushtetit në Beograd.
Gjithashtu shohim se individë të caktuar nën otellën e figurave zyrtare apo ish zyrtare lancojnë ide dhe platforma etnike a thua se po flasin për një territor që u përket atyre dhe një proces që nuk sjell dëme njerëzore siç është rasti i Danaj. Duke pasur parasysh të kaluarën historike të Ballkanit atëherë është e kuptueshme se çdo veprim me prapaskenë etnike krijon lëvizje të tipit Tsunami në zhvillimet rajonale.
E drejta e të shprehurit të individit apo grupeve të caktuara duhet të jetë e mbrojtur nga ligji themeltar i një vendi por kjo e drejtë e të shprehurit nuk duhet të cenojë rendin kushtetues dhe paqen në tërësi. Do të ishte absurde po të mendonim se një parim i tillë do të respektohej nga të gjithë sepse nëse do ndodhte një gjë e tillë atëherë do ishim dëshmitarë të një bote pa konflikte gjë që është utopi sikurse ishte edhe komunizmi për dekada me radhë.
Po ku qëndron problemi me thirrjet dhe platformat nacionaliste që shohim të zënë një pjesë të konsiderueshme të debateve dhe hapësirave virtuale në rrjete sociale si facebook, myspace etj ? Platformat janë të zhvendosura në kohë dhe që nuk marrin parasysh realitetin e zhvillimeve komplekse të shoqërive në rajon. Gjithashtu ato bazohen në presupozime që mund të jenë të gabuara pasi dinamika e zhvillimeve globale është në ndryshim të vazhdueshëm. Në bazë të kësaj teorie, dhe nëse marrim në konsideratë konceptin e Shqipërisë Etnike analiza do të zhvillohej sa vijon:
Çdo individ, sikurse në rastin konkret Z.Danaj, ka të drejtë të mendojë se Shqipëria Etnike është një term që duhet të bëhet pjesë e veprimeve dhe bisedave të diplomacisë rajonale. Një gjë e tillë mund të bazohet edhe në fakte historike për të drejtën e vetvendosjes mbi të ardhmen e tyre, gjë e cila mbështetet edhe nga konventat ndërkombëtare. Teorikisht e mundshme, një veprim i tillë është jashtë koncepteve të realitetit.
Argumentimi se realiteti i rinj i kufijve në Ballkan është premisë për stabilitetin e ardhshëm është po ashtu një ide anemike sepse për të arritur tek një moment i tillë do të duhet të pranohen dy elemente kryesore: Ekzistenca e konflikteve të armatosura dhe numër i konsiderueshëm i fataliteteve njerëzore. Asnjëra prej tyre nuk mbështeten nga asnjë faktor ndërkombëtar apo edhe vete popullata në rajon. Ballkani doli nga gjakderdhja e fundit të shekullit të kaluar dhe ajo që ka nevojë është zhvillimi dhe paqja.
Së dyti, ruajtja e balancave është një element që ka shoqëruar zhvillimet diplomatike botërore që nga koha e krijimit të një koncepti të tillë. Ajo që ne shqiptarët fajësojmë për copëtimin që u është bërë trojeve shqiptare nuk është gjë tjetër veçse rezultat i traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim vendosjen e balancave të kontrollit ndërmjet fuqive të mëdha. Sa e drejtë është një gjë e tillë? Po aq e drejtë sa ç’është edhe qeverisja nga njerëz të paaftë por që popujt vazhdojnë ta kenë.
Shqiptarët nuk rezulton të jenë në gjendje të ndryshojnë balancat ndërkombëtare pavarësisht se pretendimet e tyre mund të jenë të drejta. Nëse një gjë e tillë do u lejohej shqiptarëve atëherë do të duhet tu lejohej edhe serbëve, bullgarëve, gjermanëve, polakëve, irlandezëve etj etj. Një gjë e tillë do sillte ndryshime të hartës botërore.
Së treti, shqiptarët duket se nuk kanë mbështetjen e mjaftueshme për integrimet rajonale në gjirin e shoqërisë evropiane dhe do ishte paradoksale që ata që nuk arrijnë të pranojnë Shqipërinë në mesin e tyre, sepse ky popull në kuptimin e tyre gjeneron energji negative, do mund të mbështesin konceptin e Shqipërisë së Madhe, dmth dy-trefishim të kësaj energjie?! Pavarësisht se ata janë gabim, ne kemi zgjedhur rrugën e dëgjueshmërisë ndaj tyre dhe pretendimeve të tyre.
Edhe nëse do dilnim jashtë kufijve evropianë është e pamundur të gjesh përkrahje të zhvillimeve të tilla sepse Washingtoni ka interesa dhe jo miq, siç do shprehej një ish këshilltar i Presidentit Klinton, dhe interesat e saj janë paqja dhe stabiliteti në Evropë gjë e cila nuk mund të realizohet përsa kohë Moska nuk pajtohet me një veprim të tillë sikurse ndodhi në Gjeorgji apo me rastin e bazave raketore në Poloni.
Së katërti, Z. Danaj duket se anashkalon relaitetin social dhe diferencat që ekzistojnë në të dy anët e kufirit. Nga ana sociale në Kosovë tashmë në mënyrë të frikshme po kristalizohen zërat për një identitet të ri, nocion që gjen mbështetje edhe nga Tirana duke e argumentuar si nevojshmëri të zhvillimeve të shtetit të ri por që për disa përfaqësues të mediave të Prishtinës dhe politikës në Tiranë është më tepër një prezantim real i diferencave që popullatat kanë ndërmjet tyre.
Duket se rrymat nacionaliste nga Beogradi kanë shpërlarë mendjet e tyre duke influencuar çlirimin e energjive negative të procesit në tërësi. Nga ana politike, është utopi të mendohet se do arrinim të kishim një mirëkuptim ndërmjet përfaqësuesve politikë të Prishtinës dhe Tiranës, si dy qendrat kryesore të politikës shqiptare, për atë se kush do qeverisë.
Shpresoj se Z.Danaj nuk ka idenë e një eleminimi të klasës politike momentale. Shqipëria ka 20 vjet që nuk arrin të prodhojë stabilitet politik ndërkohë që edhe Kosova nuk qëndron larg në këto 10 vite pavarësisht kushteve specifike të administrimit ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë as një nga politikanët tanë të nderuar nuk do rrezikonin interesat e tyre personale ekonomike dhe politike për të arritur një unifikim të trojeve shqiptare.
Si rezultat, mendoj se thirrjet për një Shqipëri Etnike nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë zjarrin e ultracionalizmave rajonale. Ajo që shqiptarët kanë nevojë është pasja e një qeverie që mendon dhe punon për interesat kombëtare, mbrojtjen e shtetasve të saj. Shqiptarët kanë nevojë për zhvillim dhe integrim sepse politikat izoluese kërkojnë një stad tjetër të zhvillimit të klasës politike.
Duke pasur zhvillim ekonomik, politik dhe social që mbështetet në qëndrueshmëri atëherë mund të kërkojmë aleancë në strategjinë tonë. Politika e jashtme shqiptare është e tillë që ndryshon me ndryshimin e kabineteve. Një gjë e tillë dëmton ekzistencën e një strategjie kombëtare.
(Autori është magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare diplomuar nga Norwich University, USA)