Site icon Telegrafi

Përse vazhdon të heshtë bashkësia islame e Kosovës?

Jemi dëshmitarë të ngjarjeve interesante dhe të dinamikave kaq të shpejta që na përcjellin orë e çast. Dëshmitarë jemi edhe të nevojave të ndryshme të cilat na paraqiten kudo në jetën tonë të përditshme.

Kështu siç jemi, me këtë thesar të feve që i kemi trashëguar për shekuj, që na lakmojnë shoqëri të tëra, ne shqiptarët duhet të ndjehemi jo vetëm krenarë, por edhe përgjegjës për ta ruajtur këtë pasuri në mënyrë që t’ia dhurojmë botës si thesar dhe t’ia përcjellim brezave që vijnë pas.

Nisur nga këtu, shprehi indinjatën time të thellë ndaj neglizhencave të institucionit fetarë islam në Kosovë, institucion ky i cili edhe më tutje nëpërkëmbë nevojat e shoqërisë për të dalë me përgjigjen e duhur dhe përfundimtare nëse është apo nuk është e lejuar për myslimanin ta urojë shqiptarin e krishterë për festën e Krishtlindjeve.

Jam i vetëdijshëm se Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk arriti ta krijojë boshtin kurrizor të të qënurit institucion fetarë islam, Departamentin e Fetvasë. Mund ta marrë me mend përse nuk e bëjnë, por, ama, edhe nëse ky departament ende nuk ekziston, njerëzit nuk ndalen së pyeturi dhe së interesuari për çështje të fesë të cilat u interesojnë. Andaj, në mungesë të këtij departamenti kaq të nevojshëm, sot e një kohë të gjatë nëpër rrjetet sociale lexojmë përgjigje e fetva nga më të ndryshmet, shumë herë në kundërshtim me vet parimet e fesë islame. Mendoj se dhënia e fetvasë do të ishte detyra primare e një myftiu që pretendon të jetë përnjëmend mufti.

Në këto rrethana të diskursit të ri fetar në Kosovë, konsideroj se nuk mjafton vetëm urimi eventual i zyrtarëve të BIK-ut për krishtlindjet apo për festat tjera të bashkëkombësve tanë, kur, në anën tjetër imamët dhe punonjësit tjetër të BIK-ut shprehim mendime dhe qëndrime të kundërta me versionin zyrtar të vet Bashkësisë Islame të Kosovës.

Exit mobile version