Femrat pothuajse gjithmonë kanë synim që të ndihmojnë, madje edhe të panjohurit, gjë që me gjininë mashkullore nuk është edhe bash ashtu
Studimi i bërë në Cyrih ka konstatuar që – truri i mashkullit nxit egoizëm, ndërkaq i femrës dashamirësi dhe kujdes, transmeton Telegrafi.
Mirëpo, nuk është çdo gjë edhe aq e thjeshtë.
Gjatë hulumtimit, ekspertët kanë vështruar dy aktivitete të trurit kur marrin vendime joegoiste dhe kur mbisundon egoizmi.
Shkencëtarët kanë zbuluar që striatumi (pjesa e trurit e cila na “shpërblen” me dopaminë kur bëjnë diçka të mirë) te femrat tregon reagim më të theksuar kur marrin vendime joegoiste, në krahasim me gjininë mashkullore.
Nga ana tjetër, striatumi te meshkujt më shumë ka reaguar te sjellja egoiste.
Pjesa më interesante e hulumtimit ka të bëjë me momentin kur shkencëtarët kanë paaftësuar striatumin me ndihmën e ilaçeve.
Atëherë femrat janë bërë egoiste, ndërkaq meshkujt shpirtmirë!
Ky zbulim ka shkaktuar stuhi të vërtetë në botën shkencore.
Megjithatë, udhëheqësi i hulumtimit, dr. Aleksander Stotchek thotë që dallimet me siguri janë të bazuara në nivel kulturologjik, jo në atë biologjik.
“Janë të rralla dallimet në trurin e mashkullit dhe të femrës të cilët mund të radhiten në fenomene natyrale. Më parë mund të konsiderohet si rezultat i sjelljes sociale dhe i qëndrimeve”, thotë ai.
“Truri i njeriut është i bërë ashtu që baza e procesit të mësimit të jetë në shpërblim. Eksperimentet tregojnë që vajzat e vogla nga vegjëlia janë të nxitura në altruizëm, për ç’shkak truri i femrës dërgon sinjale shpërblimi për vepër të mirë”, thotë Stotchek. /Telegrafi/