Site icon Telegrafi

Përse qentë i sulmojnë pronarët?!

Në Virginia, SHBA, një vajzë e re ka vdekur në rrethana tragjike pasi është sulmuar nga qentë e saj.

Policia thotë se Bethany Stephens, 22 vjeçare, ishte sulmuar nga dy qentë e saj të racës pitbull kur i kishte qitë për shëtitje – pavarësisht se i kishte rritur ata qysh kur kishin qenë këlyshë, transmeton Telegrafi.

Vendasit ishin tronditur shumë nga rasti, saqë policia i ka publikuar detajet e tragjedisë së vdekjes së saj për t’i bindur se qentë ishin përgjegjës.

Por, shtrohet pyetja, çfarë do ta bënte një qen t’i kthehet kundër pronarit i cili e ka rritur që nga fëmijëria?

Ekspertët thonë se kjo është ende e paqartë. Por mund të ekzistojnë disa faktorë të cilët ndikojnë që qentë ta sulmojnë pronarin.

Qenve nuk u pëlqen stresi… apo Krishtlindjet

Sean Wensley, kirurg veterinar, thotë se qentë mund të bëhen agresivë kur ndihen të kërcënuar.

“Motivimi për shumicën e sulmeve të qenve është frika. Motivet tjera se përse sulmojnë qentë janë për çështje territoriale – pra nëse janë duke ruajtur diçka me vlerë të madhe, janë duke e mbrojtur vendin e tyre të preferuar të pushimit, apo shtratin e tyre… Ose nëse janë mësuar të mbrohen”.

Trajnerja e qenve Carolyn Menteith tregon se shumica e sulmeve nga qentë ndodhin gjatë sezonit festiv sepse, sipas saj, numri i madh i mysafirëve dhe fëmijëve që enden vërdallë ndikojnë që qeni të mbetet i mërzitur dhe konfuz, transmeton Telegrafi.

Shikoni për shenja të dhimbjes

Pavarësisht periudhës së vitit, personat të cilët mbajnë më shumë se një qen duhet të shikojnë se si qentë komunikojnë me njëri-tjetrin.

“Nëse ata shfaqin shenja garuese me njëri-tjetrin, ajo mund të shpie në agresivitetit te qentë dhe me shumë gjasë ai agresivitet mund t’i drejtohet pronarit”, thotë Dr. Wesley.

Veç kësaj, shanset më të mëdha për t’iu sulmuar qeni janë kur qeni është duke pasur dhimbje – p.sh. e ka zënë këmbën te dera, është i sëmurë me ndonjë sëmundje të mëlçisë, etj.

Kujdesuni për fëmijët

Statistikat tregojnë se fëmijët janë më të sulmuarit nga qentë. Hulumtimet tregojnë se 76 për qind e rasteve kur qentë i kanë sulmuar fëmijët kanë qenë në buzë, hundë apo në faqe.

Trajnimi i qenve është investim i mirë

Kur mendoni se a është e sigurt apo jo ta lini qenin me fëmijën apo me ndonjë të panjohur, konsideroni përvojat e së kaluarës. A është mësuar qeni me raste të tilla? A besoni se qeni do të sillet mirë edhe pa prezencën tuaj?

Ekspertët thonë se për parandalimin e sulmeve të ndryshme, trajnimi në fazat e hershme është çelësi kryesor për shmangien e agresivitetit në të ardhmen – ndërsa koha më e mirë për ta filluar trajnimin është kur qeni është ende këlysh. /Telegrafi/

Exit mobile version