Përpara gjashtë vitesh vdiq Osama Bin Laden, organizatori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Ai u vra nga plumbat e komandove amerikane.
Më 2 maj të vitit 2011, ushtarët elitë të ‘Navy Seals’ sulmuan vendin ku fshihej shefi i Al Kaedas në Abotabad të Pakistanit.
Tani, ushtari që i mori jetën Bin Laden, ka rrëfyer detajet e aksionit më të njohur komando në histori.
Robert O’Neill, 41 vjeç, ka publikuar një libër të dytë me titull: “Operatori: Plumbat që vranë Bin Laden”.
Bëhet fjalë për një protokoll të plotë dhe të ri për minutat e fundit të jetës së terroristit.
O’Neill donte të rrëfente në librin e tij të dytë me qartësi se ishte vërtet ai që vrau 54-vjeçarin Osama Bin Laden.
Ka pasur një zënkë të çuditshme për këtë çështje.
Ish-komandoja Matt Bissonette pretendonte në vitin 2012 se ishte ai personi që vrau bin Laden.
Veterani më vonë u detyrua të paguante një dëmshpërblim, pasi librin e kishte publikuar pa autorizimin e Pentagonit.
O’Neill qartëson në kujtimet e tij se ishte ai që e qëlloi Osama Bin Laden.
Për më tepër, kur Bin laden ishte në tokë, ai e qëlloi edhe njëherë në ballë për t’u siguruar që ka vdekur.
Por përse nuk u publikuan kurrë foto të kufomës?
Skena ka qenë tepër e tmerrshme.
Ushtarët u detyruan të mbledhin copat e kokës për të bërë një fotografi për identifikim.
Sipas “Business Insider”, përcjell mapo.al, ka pasur informacione sekrete, sipas të cilave, thuajse të gjithë ushtarët e këtij operacioni kanë marrë hak personalisht për 11 Shtatorin.
Po ashtu ka pasur informacione se trupi i Bin Laden është masakruar me të paktën 100 vrima plumbash.
Nëse kjo është e vërtetë, duket e kuptueshme se përse Pentagoni nuk ka publikuar ndonjë foto të trupit të bin Laden.
Imazhet e një kufome të gjymtuar do të kishin shkaktuar zemërim në mbarë botën.
Trupi i themeluesit të Al Kaidas u vendos brenda pak orësh në bordin e aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson dhe u hodh në Oqeanin Indian.