Për t’u bërë shtet anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nevojitet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.
Organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë numëron aktualisht 57 vende anëtare, që shtrihen në tri kontinente: Evropë, Amerikë e Veriut dhe Azi.
Në mesin e tyre janë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, por jo edhe Kosova.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur në vitin 2008 – dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj në organizata rajonale e ndërkombëtare.
Për më tepër, ajo ka edhe mbështetjen e Rusisë, e cila po ashtu është anëtare e OSBE-së.
Në radhët e kësaj organizate janë edhe Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën – ashtu si edhe shtete të tjera mosnjohëse.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë se a planifikon të aplikojë për anëtarësim në OSBE dhe ku e sheh pengesën kryesore në këtë proces, por nuk mori përgjigje.
Ngjashëm, as misioni i OSBE-së në Kosovë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë temë, ndonëse konfirmoi marrjen e pyetjeve.
Çka bën OSBE-ja në Kosovë?
Këshilli i Përhershëm i OSBE-së mori vendim për themelimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në korrik të vitit 1999 – pak javë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Misionit iu dha rol udhëheqës në çështjet që lidheshin me ndërtimin e institucioneve, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Ai është misioni më i madh në terren i OSBE-së, ndërsa mandati i tij është i përcaktuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe në vendimin numër 305 të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.
Misioni, aktualisht, ka pesë qendra rajonale – në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan.
Në ueb-faqen e tij thuhet se ai është veçanërisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, monitorimin e gjyqësorit, lirinë dhe zhvillimin e medias, promovimin e mekanizmave kundër diskriminimit, përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe publike e të tjera.
Misioni i OSBE-së, po ashtu, bashkëpunon dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me qëllim të, siç thuhet, forcimit të kapaciteteve të tyre, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare.
Misioni mbështet edhe zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Aktualisht, në krye të tij është ambasadori Michael Davenport, diplomat britanik i karrierës.
Kosova nuk merr pjesë në samitin në Shkup
Duke mos qenë anëtare e OSBE-së, Kosova nuk merr pjesë në takimin ministror të kësaj organizate që zhvillon punimet sot dhe nesër në Shkup të Maqedonisë së Veriut – vendit që aktualisht kryeson OSBE-në.
Samiti mbledh 76 delegacione nga 57 vende anëtare të OSBE-së dhe shtete partnere.
Në mesin e të pranishmëve është edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Por, vëmendjen e mediave e mori prania e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Edhe pse i sanksionuar nga Perëndimi, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, Maqedonia e Veriut e lejoi pjesëmarrjen e tij në samit.
Për rrjedhojë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, njoftoi se nuk do të jetë i pranishëm.
Pjesëmarrja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare
Vitin e kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Në gati 16 vjet pavarësi, vendi ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende as anëtare e Kombeve të Bashkuara, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.
Pavarësia e Kosovës njihet nga 117 shtete.
Serbia, në disa raste, ka zhvilluar fushatë kundër njohjes apo për çnjohje të Kosovës, përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”. /rel/