Site icon Telegrafi

Përse kemi më shumë dhimbje në gjunjë gjatë dimrit

Studiuesit theksojnë se shkaku kryesor i dhimbjeve më intensive në gjunjë gjatë dimrit është mungesa e vitaminës D në trup.

Shkencëtarët e analizuan gjendjen shëndetësore dhe intensitetin e dhimbjes në gjunjë në popullsinë botërore gjatë gjithë vitit.

Ata konstatuan se njerëzit që vuajnë nga osteoporoza, shpesh kërkojnë ndihmë nga ndonjë mjek gjatë dimrit. Shumicës së tyre u ndihmon marrja e suplementeve të vitaminës D.

Vitamina D prodhohet në trup gjatë ekspozimit ndaj diellit, që është arsyeja se pse gjatë muajve të dimrit e kemi në sasi më të vogla në trup.

Mungesa e vitaminës D e rrit rrezikun e inflamacionit kronik në trup, por edhe shpesh e shkakton përkeqësimin e simptomave të inflamacionit kronik.

Sasia e vogël e vitaminës D në trup e vështirëson funksionimin adekuat të indeve eshtërore. Mungesa e vitaminës D është një problem që haset nga shumë njerëz në mbarë botën.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se rreth 40% e popullsisë botërore nuk e merr sasinë e mjaftueshme të vitaminës D.

Nëse nuk jeni të sigurt për sasinë e duhur të marrjes së vitaminës D, konsultohuni me mjekun tuaj ose nutrologun. Trupi e ruan vitaminën D në qelizat e yndyrës, që është arsyeja se pse nevoja për vitaminë D rritet në përputhje me peshën e trupit. /Telegrafi/

Exit mobile version