Qeveria amerikane do të shpenzojë 3.2 miliardë dollarë për një avion të ri “Air Force One”- por presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka sugjeruar që të anulojë projektin.
Avioni është shumë i shtrenjtë dhe mbi të gjitha, një model i ri kushton pak a shumë 378 milionë dollarë, nëse e blen një kompani ajrore.
Por përse është kaq i shtrenjtë ky avion?
Teknikisht, “Air Force One” nuk është një aeroplan.
Është më shumë një mesazh.
Për shkak se presidenti rrallë udhëton me linja ajrore, ky avion ushtarak është i ndërtuar posaçërisht për kryekomandantin e ushtrisë.
Modeli aktual ka hyrë në shërbim në vitin 1990 dhe është në fund të jetës, përcjell mapo.al.
Skeleti komercial i këtij avioni është prodhuar në mënyrë të tillë që të transformohet në një “komandë të lëvizshme ushtarake në rast sulmi ndaj SHBA”.
Për shembull, në buxhet përfshihet edhe përmirësimi i të gjithë sistemit elektrik të avionit në nivel ushtarak, me dy sisteme mbështetëse.
Këto përmirësime nënkuptojnë që “Air Force One” është i mbrojtur ndaj impulseve elektromagnetike- një lloj shpërthimi energjie që mund të dëmtojë shumicën e pajisjeve elektronike.
Ky është një efekt anësor i shpërthimeve bërthamore në lartësi të mëdha.
Përmirësime të tjera përfshijnë pajisjet e komunikimit ushtarak dhe sistemin e vetëmbrojtjes.
Kjo ndoshta nënkupton edhe kundërmasa për hedhjen e raketave-edhe pse Forca Ajrore amerikane nuk jep detaje.
Kjo është arsyeja se përse spekulohet shumë se çfarë kanë panelet në seksionin e bishtit të avionit.
Të gjitha këto shërbime kushtojnë.
Në fakt, hapi i parë në proces është që të blihen dy avionë, pasi nëse njëri është në servis, tjetri është gati për fluturim.
Në një intervistë, Donald Trump tha vjet se avioni i tij privat është më i madh se “Air Force One”.
Nuk është e vërtetë.
Sipas të dhënave, Air Force One është 70.6 metra i gjatë dhe me një shtrirje krahësh prej 59.6 metrash.
Avioni i Trump është 47 metra i gjatë dhe me një shtrirje krahësh prej 40 metrash.
Air Force One e mposht edhe në një fushë tjetër: për fuqinë e fluturimit.
Air Force One mund të fluturojë më shumë se çdo avion tjetër- mjaftueshëm për të shkuar nga Uashingtoni në Hong Kong në një fluturim.
Avioni po ashtu mund të furnizohet në fluturim e sipër.
Air Force One nuk e ka luksin e avionit të Trump, por ka po ashtu plot komoditet.
Hapësira e dyshemesë është plot 400 metra katrorë- këtu përfshihet një zyrë private e presidentit, një dhomë konferencash dhe një palestër.
Avioni është me dy kate dhe ka një kuzhinë që mund të ushqejë 100 persona njëkohësisht.
Ushqimi përgatitet nga kuzhinierë të posaçëm ushtarakë, që vulosin çdo përbërës për sigurinë.
Një fakt interesant: kompania M&M prodhon karamele të posaçme vetëm për këtë avion, me firmën e presidentit.
Ndërkohë, të operosh me këtë avion do të thotë të shpenzosh 180 mijë deri në 200 mijë dollarë në orë.
Nëse Trump kërkon të shkurtojë kostot e udhëtimit, blerja e Air Force One është vetëm fillimi.