Telegrafi

Përrallat e Daçiqit: Serbia po bashkëpunon në gjetjen e të zhdukurve, Kosova jo

Serbia është në mënyrë aktive duke bashkëpunuar në hetimet në zbulimin e personave të zhdukur dhe varrezave masive të mundshme, derisa pala tjetër (Kosova) nuk është duke vepruar kështu.

Kështu së paku raportojnë mediat serbe të ketë thënë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai pretendon se Serbia kërkoi inspektimin e pesë vendndodhjeve dhe se autoritetet në Prishtinë “nuk duan të kontrollojnë asnjërën prej tyre”, përcjell Telegrafi.

Daçiq, i cili është gjithashtu president i SPS, thotë se askush në Serbi nuk e ndalon askënd nga zbulimi dhe sanksionimi i fajtorëve.

Duke komentuar “akuzat nga Prishtina se ai dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë” ai ka bërë thirrje që ai të merret në pyetje në gjykatë.

Gjithsesi, ai pretendon se “në vitet 1990 ai nuk merrej me punët e shtetit, por ishte zëdhënës i SPS”. /Telegrafi/