Hulumtimi i ri tregon se njerëzit kanë tendencë të zgjedhin bashkëshortë, profili gjenetik i të cilëve ngjan me atë të tyre. Efekti është delikat (ngjashmëritë e tjera, si ngjashmëria në arsimimin, kanë ndikim më të madh), por është e rëndësishme të kuptohet se çiftëzimi nuk është në fakt gjenetikisht rastësor, raportojnë hulumtuesit në “Proceedings of the National Academy of Sciences”.
Efekti gjenetik madje mund të sinjalizojë ose kontribuojë në pabarazinë sociale, shkruajnë ata. Sistemi aktual social i SHBA-së pa dashje mund t’i kategorizojë njerëzit, për shembull, sipas gjenetikës, apo të kontribuojë në skemat e para në nivelin e ADN-së sonë.
Përzgjedhja e partnerit
Kur është fjala për martesën, thënia amerikane që "zogjtë me pendë të ngjashme fluturojnë së bashku", është më e vërtetë sesa ideja që thotë se dy anë të kundërta tërhiqen. Shumë studime kanë zbuluar se njerëzit kanë tendencë të martohen me të tjerët që janë të ngjashëm me ta në arsim, klasa shoqërore, raca dhe madje edhe peshë të trupit. Ky fenomen quhet çiftëzim i klasifikuar.
Pyetja, sipas udhëheqësit të studimit dhe hulumtuesit nga Universiteti i Kolorados, Benjamin Domingue, ishte nëse këto dallime të çiftëzimit të klasifikuar janë të dukshme në nivelin gjenetik.
Studiuesi analizoi të dhënat gjenetike nga 825 amerikanë të bardhë johispanikë, të cilët morën pjesë në studimin amerikan të shëndetësisë dhe pensionimit. Ata e krahasuan ngjashmërinë e ADN-së së çifteve të martuara me ngjashmërinë individëve të rastit, të cilët nuk janë në lidhje.
Rezultatet, të cilat u pasqyruan në një studim pasues me të dhënat e studimit të gjatë Framingham Heart, zbuluan se njerëzit e martuar kanë më shumë segmente të ngjashme të ADN-së se çiftet e rastit të njerëzve.
Klasifikimi
Por gjenet e luajnë një rol në shumë tipare, të cilat njerëzit i përdorin për ta klasifikuar veten e tyre në çifte, duke përfshirë prejardhjen gjeografike, inteligjencën dhe më shumë. Hulumtuesit u përpoqën t’i shpjegojnë këta faktorë duke i kontrolluar çiftet në baza gjeografike, pas së cilës rezultatet gjenetike ende mbetën të njëjta. Ata gjithashtu i ekzaminuan gjetjet në kontekstin e nivelit të shkollimit, i cili pjesërisht është përcaktuar nga inteligjenca.
Ata zbuluan se pas kontrollit për arritjet arsimore, efekti gjenetik kishte rënë për 42 për qind. Në përgjithësi, efekti klasifikues i arsimit ishte tri herë më i fortë se klasifikimi në bazë të gjeneve, konstatoi studimi.
Efekti gjenetik në nivelin arsimor luajti një rol të vogël: ekipi hulumtues zbuloi se jo më shumë se 10 për qind e variacionit në ngjashmëritë në arsim kishte të bënte me ngjashmëritë në gjenetikë në një çift të martuar.
Rezultatet ishin të kufizuara në çiftet johispanike të bardha me gjini të kundërt, dhe studimi paraqet vetëm "hapin e parë" në studimin e gjenetikës që qëndron prapa përzgjedhjes së çiftit, shkruajnë hulumtuesit, transmeton Koha.net. Mbeten pyetjet si a i ndihmojnë gjenet njerëzit të kalojnë në mjedise të ndryshme – kolegj, për shembull, ose shkollë të tregtisë – ku ata përzihen dhe shoqërohen me njerëzit e tjerë me gjenetikë të ngjashme, gjë që mund ta shpjegojë efektin në masë të madhe.
Është e rëndësishme të kuptohet se si ngjashmëria gjenetike ndikon në çiftëzim, sepse studiuesit që i studiojnë gjenet dhe evolucionin nuk mund të supozojnë se gjenet përzihen në mënyrë rastësore. Gjenetikët zakonisht përpiqen ta vlerësojnë këtë çiftëzim jorastësor, duke i krahasuar tiparet prindërore, por kjo është një metodë shumë e përafërt, shkruajnë hulumtuesit.
"E një rëndësie edhe më të madhe do të ishte të kuptuarit e sasisë së çiftëzimit jorastësor nga pikëpamja gjenetike në raport me tiparin dhe se si këto lidhje kanë ndryshuar me kalimin e kohës", shkruajnë studiuesit. /Telegrafi/