Pas tensioneve të një dite më parë në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe katër deputetë të Partisë Demokratike janë përjashtuar me 10 ditë.
Veç kreut demokrat, deputetët e tjerë të përjashtuar për 10 ditë janë Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka.
“U sollën në mënyrë të pahijshme dhe jo etike duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe duke shkaktuar kaos. Zaptuan foltoren”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve.
Në seancën e së enjtes, Berisha dhe deputetë të tjerë të PD kërkuan të futej në rend të ditës çështja e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal. Kërkesa e tyre u rrëzua nga deputetët e mazhorancës, por sërish deputetët e opozitës nuk u larguan nga foltorja. /Telegrafi/