Telegrafi

Përplasjet në Komisionin për Arsim, Gola: Përfaqësuesi i SBASHK-ut tha “mos na lodh b***”

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola (LVV), duke folur  lidhur me debatet e përplasjet e ashpra sot me përfaqësuesit e SBASHK-ut në këtë komision, ka treguar edhe për gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e sindikatave.

Mbledhja e sotme e Komisionit për Arsimit, ku të ftuar ishin përfaqësuesit e SBASHK-ut për të diskutuar për grevën, është zhvilluar me shumë debate dhe tensione.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, hodhi disa akuza ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, duke bërë këtë të fundit që ta lëshojë mbledhjen.  Debati mes tyre vazhdoi edhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku të dy ishin të ashpër me njëri-tjetrin.

E, për gjuhën e përdorur të deputetit Basha pati reagime në media dhe rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.

Ndaj krejt këtyre, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar Ardian Gola, duke treguar edhe për gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e SBASHK-ut në komision

“Shumë mirë pra! Meqë keni vendosë që në vend të kritikës dhe diskutimit racional, duke lënë komplet jashtë vëmendjes publike dy orë diskutim goxha të maturuar të mazhorancës për grevën në Komision, të moralizoni duke u marr me nivelin e edukatës së deputetit Dimal Basha, zgjerojeni fokusin e moralizimit dhe vlerësojeni përgjigjen e njërit prej përfaqësuesve te SBAShK-ut në Komision kur tha: “mos na lodhë b***”, ose asaj tjetrës kur bënte politikë në Komision duke thënë se për t’u ngrohur gjatë dimrit do të shkojnë në veri”.

“Tashmë as unë nuk e di se çka përfaqësohet me këtë gjuhë. Por e di që mësimdhënësit dhe interesat e tyre jo”, ka thënë Gola. /Telegrafi/