Të papranueshme e ndërhyrje në drejtësi po vlerësohen sulmet e kritikat nga krerët qeveritar, drejtuar sistemit prokurorial e gjyqësor.
Organizatë kriminale, e bllokues të reformave të drejtësisë janë disa nga cilësimet që iu vunë sistemit prokurorial e atij gjyqësor, nga qeveritarët.
I fundit ishte zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu që nuk hezitoi të shpërndajë një status në rrjetin social Facebook, në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës cilësohej si organizatë kriminale.
Derisa vetë kryeministri i Kosovës, Gjykatën Kushtetuese e vlerësoi si autoritet që po bllokon reformat e Qeverisë.
“Çdo ditë që po kalon, është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme, meqenëse po pengohet shteti ynë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore…”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Për veprimin e Sallahut reaguan nga Këshilli Prokurorial, duke thënë se deklarimet e tilla me përmbajtje nxitëse dhe linçuese, krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, por nga Gjykata Kushtetuese preferuan të mos flasin për kritikat e Kurtit.
Sulmet e tilla, karshi Gjykatës Kushtetuese i sheh si të papranueshme ish-gjyqtari Kadri Kryeziu, derisa thotë se duhet të ndalet një gjuhë e tillë.
“Qasja ndaj Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm kësaj radhe por edhe më herët ka qenë e keqe dhe e papranueshme sepse kjo formë krijon performancë shumë negative në raport me faktorin ndërkombëtar repsektivisht me SHBA-të, dhe ky moment është i papranueshme sepse pushtetet në shtetet demokratike janë të ndara, dhe në shtet demokratike sundon ligji”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Kadri Kryeziu – ish gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi konsiderojnë se kabineti qeveritar i udhëhequr nga Kurti, po mundohet të fshehë dështimet e tyre duke sulmuar institucionet e drejtësisë.
“Partia politike në pushtet në bazë të Kushtetutës tonë në bazë të ligjeve tona nuk guxon dhe nuk mundet të komentoj publikisht, të akuzoj publikisht, të linçoj publikisht qoftë sistemin prokurorial qoftë sistemin gjyqësor apo institucione të tjera të pavarura, tashmë është bërë e ditur se në mungesë të rezultateve të Ministrisë së Drejtësisë dmth të vetmen mënyre që të bëhen pjesë e diskursit publik, është përmes këtyre skandaleve apo deklaratave linçuese që mund të kthehen në vota për ta”, ka deklaruar Ehat Miftaraj – drejtor i IKD-së.
Gjuhë të ashpër e kritika ka pasur vazhdimisht që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie.