Një përplasje verbale ka ndodhur sot mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe asamblistit të Vetëvendosjes, Egzon Azemi, gjatë seancës së jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të vitit 2021.
Azemi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se sot është kërcënuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Në Prishtinë sot po mbahet Seanca për Buxhetin. U kërcënova nga Shpend Ahmeti e më ftoi të dalë jashtë. I falënderoj të gjithë asamblistët dhe stafin e Kuvendit që më këshillonin të mos dalë. Por kur dola, ai s’ishte aty. I strukur si gjithmonë por tash i irrituar, sepse po i arrestohen inspektorët për korrupsion dhe po i përfundon mandati”.
Ndryshe, seanca ka shkuar në pauzë. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi që seanca të shtyhet, me arsyetimin se janë njoftuar vonë për mbajtjen e seancës.
Nga LDK theksuan se nuk kanë arritur analizojnë buxhetin. Seanca është kërkuar të shtyhet edhe nga partitë tjera. /Telegrafi/