Telegrafi

SHBA, të paktën dy të vdekur dhe 70 të plagosur në përplasjen e trenave

Treni i pasagjerëve i korporatës Amtrak është përplasur me trenin e mallrave, CSX në Karolinën Jugore gjatë ditës së sotme, duke lënë të vdekur të paktën dy persona dhe duke lënduar 70 të tjerë.

Siç bëri të ditur policia, aksidenti hekurudhor ka ndodhur në qytetin Cayce, dhe në të janë përfshirë një tren udhëtarësh dhe një tren mallrash, raporton Rueters, transmeton Telegrafi.

Kompania hekurudhore Amtrak njoftoi se në trenin e udhëtarëve i cili ka qarkulluar në relacionin New York – Miami, ka pasur gjithsej 147 persona, nga të cilët tetë anëtarë të ekuipazhit. Akoma nuk ka informacione për numrin e njerëzve brenda trenit të mallrave.

Vitet e fundit në SHBA janë shpeshtuar aksidentet hekurudhore me pasoja fatale.

Në dhjetor të vitit të kaluar, tre persona vdiqën si pasojë e daljes së një treni nga shinat në Washington, ndërsa javën e kaluar në përplasjen e trenit Amtrak i cili barte senatorët republikanë, me një kamion, humbi jetën një person, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën./Telegrafi/