Pentagoni ka bërë të ditur se ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ka shtyrë udhëtimin e tij në Uashington, i cili ishte planifikuar për të mërkurën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Sapo u informuam se ministri Gallant do të shtyjë udhëtimin e tij në Uashington, DC. Sekretari Austin mezi pret ta takojë së shpejti”, tha zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh gjatë një konference, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Por mediat dhe gazetarët izraelitë raportuan se udhëtimi u anulua për shkak të një përplasjeje me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Netanyahu thuhet se donte mbështetjen e Gallant për një vendim të kabinetit izraelit për të miratuar një përgjigje ndaj sulmit të javës së kaluar nga Irani.
Ai gjithashtu thuhet se nuk po e lejon Gallant të përfaqësojë qeverinë e tij derisa të mund të flasë me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Po sipas mediave, Biden ka qenë i frustruar me Netanyahun “që e la atë dhe zyrtarët e tjerë amerikanë në errësirë” për planet ushtarake në Gaza dhe së fundmi në Liban. /Telegrafi/