Telegrafi

Përplasje në mes të Vllado Kambovskit dhe Ministrisë së arsimit dhe shkencës të Maqedonisë (Video)

Kryetari i nëntë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), Vllado Kambovski, e ka kritikuar pushtetin, që këmbëngul në ndërtimin e universiteteve të reja, ndër to edhe ”Damjan Gruev” dhe ”Nënë Tereza”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se për hapjen e tyre, paraprakisht nuk është konsultuar askush me ASHAM-in, nga Ministria e arsimit dhe shkencës (MASH), që për Kambovskin, kjo është një praktikë e keqe.

Kambovski theksoi se ndërtimi i institucioneve arsimore të larta, janë projekte që duhet të jenë në përputhje me Programin për zhvillim të arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore-hulumtuese, që sipas tij, Kuvendi i Maqedonisë nuk i miraton.

Megjithatë, MASH-i mendon ndryshe. Sipas tyre, vetëm Këshilli për akreditim dhe vlerësim të arsimit të lartë është organi i cili jep dhe merr akreditime, vlerëson cilësinë e arsimit të lartë, duke shtuar se ASHAM-i është dhe do të mbetet partner strategjik në krijimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme për përparimin e arsimit dhe shkencës, në kuadër të fushës së veprimit dhe përgjegjësive që ka ASHAM-i./Telegrafi/