Një debat i ashpër mbi rolin e NATO-s në ndërhyrjen e vitit 1999 në Kosovë ka shpërthyer mes gazetarëve të njohur Piers Morgan dhe Tucker Carlson, gjatë një interviste të fundit.
Morgan mbrojti veprimin e NATO-s, duke deklaruar:
“NATO është një organizatë mbrojtëse dhe nuk ka vepruar kurrë në mënyrë agresive…”
Ndërsa Carlson e kundërshtoi fuqishëm këtë qëndrim, duke thënë:
“Ata po bombardonin rëndë të krishterët në Jugosllavi… kjo ishte ofensive…”
Pas debatit, Morgan reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se veprimi ushtarak i NATO-s ishte një ndërhyrje humanitare, e cila synonte ndalimin e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Pavarësisht indinjatës së Tucker-it dhe të shumë personave të painformuar që komentojnë këtë klip, unë kisha të drejtë. Veprimi ushtarak i NATO-s në këtë rast ishte një ndërhyrje humanitare e dizajnuar për të ndalur spastrimin etnik të përhapur”, shkroi ai.
Ambasadori shqiptar reagon fuqishëm
Në lidhje me këtë debat reagoi edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili tregoi për tragjedinë që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë luftës:
“Kam miq nga Kosova që humbën gjithçka për shkak të asaj lufte! Kam miq nga Kosova që humbën të gjithë të dashurit e tyre për shkak të asaj mizorie të spastrimit etnik. Kam miq nga Kosova që lindën në kampe refugjatësh. Historia nuk do të rishkruhet!”, deklaroi ai.
NATO dhe ndalimi i spastrimit etnik në Kosovë
Në vitin 1999, NATO ndërhyri ushtarakisht për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga forcat serbe të udhëhequra nga Slobodan Milosheviç.
Me dështimin e diplomacisë dhe përshkallëzimin e krimeve të luftës, operacioni u bë i domosdoshëm për të parandaluar mizori të mëtejshme.
Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, forcat serbe ishin përgjegjëse për:
Dëbimin masiv të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, djegien dhe plaçkitjen e shtëpive, shkollave, objekteve fetare dhe spitaleve, arrestime arbitrare dhe ekzekutime të menjëhershme, përdhunime dhe forma të tjera të dhunës sistematike.
Ndërhyrja e NATO-s konsiderohet si një nga veprimet më vendimtare për ndalimin e një tragjedie humanitare dhe për t’i hapur rrugë pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Despite Tucker’s indignation, and that of many ill-informed people commenting on this clip, I was right. NATO’s military action in this instance was a humanitarian intervention designed to stop widespread ethnic cleansing. https://t.co/fqsDqFPbDi
— Piers Morgan (@piersmorgan) February 1, 2025