Ministria e Drejtësisë (MD) ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit.
Sipas MD-së, nga Prokuroria Speciale janë publikuar vetëm dy nga konkluzionet e raportit, nga pesë sa janë gjithsej.
Nga ana e saj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), thotë se nuk kanë komentuar raportin por vetëm se kanë publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Avokati Skender Musa thotë në RTV Dukagjini se këto përplasje janë zhgënjyese pasi sipas tij kompetencat mes këtyre institucioneve janë të ndara.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë në fushën e hetimeve të çështjeve të ndryshme penale, derisa Prokuroria Speciale janë të obliguara t’i marrin provat dhe t’i shqyrtojnë si profesionalistë, qofshin ato prova në favor apo disfavor për një çështje të ndryshme penale”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Musa thotë se çështja Dehari është shumë e ndjeshme dhe sipas tij nuk është mirë të përzihet politika.
“Ministria e Drejtësisë nuk është palë në proces, derisa pala e dëmtuar e ka statusin e saj në bazë të Kodit Penal. Por, Prokuroria Speciale e ka obligim që t’ia ofrojë të gjitha materialet mbrojtjes, edhe ato që z.Tomë Gashi pretendon se janë dëmtuar gjatë hetimit”.
Musa thotë se pala e dëmtuar nëse ka dyshime për procesin mund të kërkojë ndryshimin e prokurorit, edhe pse sipas tij tashmë është ndryshuar një prokuror.
“Rastin e ka marrë Prokuroria Speciale, që quhet një prokurori më e avancuar në republikën e Kosovës”, tha ndër të tjera avokati Skender Musa.
Ndryshe, sot Avokati Tomë Gashi së bashku me prindërit e Astrit Deharit, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë kanë deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astritit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.
“Ne jemi të bindur që nëse Prokuroria Speciale e Kosovës do të kishte marrë në përgjegjësi personat që kanë punuar në zbardhjen e vrajës së Astrit Deharit, do të gjendeshin edhe personat me emër dhe mbiemër, të cilët kanë qenë të involvuar në çfarëdo lloj pune që e kanë kryer në kuadër të institucioneve dhe jo të dërgohen vetëm këto prova, të cilat faktikisht janë manipuluar dhe janë shndërruar si prova të papërdorshme”, ka deklaruar Gashi.
Nga ana e saj, Prokuroria Speciale e Kosovës ka mohuar se ka manipuluar provat për rastin e Astrit Deharit.
“Prokuroria Speciale siguron opinionin se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të Ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik”./Telegrafi/