Debate të ashpra në “Debat Plus” janë zhvilluar mes përfaqësuesve të sindikatave dhe njohësve të çështjeve të arsimit për grevën në arsim dhe administratë.
Dibran Hoxha nga ORCA ka thënë se sindikatat duhet të marrin mësim se nuk duhet të kenë marrëveshje me subjektet politike.
Por ky konstatim nuk i ka pëlqyer Reshit Kushajt nga Këshilli grevist i SBASHK-ut.
“Qeveritë shkojnë e vijnë. Ata që dëshirojnë të dalin në foto me ne mund ta bëjnë atë qysh nesër”, duke ju referuar një foto të Rrahman Jasharajt me Kadri Veselin e Ramush Haradinajn gjatë fushatës zgjedhore.
“Qysh nesër Rrahman Jashari është i gatshëm të dalë në foto me Albin Kurtin. Ne bashkë me Rrahman Jasharin jemi në sindikata qysh nga vitet e ’80. Ne nuk jemi produkt i asnjë partie politike”, shtoi Kushi.
Dibran Hoxha nga ORCA ka thënë se një pjesë e madhe e mësimdhënësve nuk dinë shkrim e lexim.
“Problemi i SBASHK-ut është se këta nuk pranojnë me u testua. Nuk duhet teste të avancuara për ta por vetëm për shkrim e lexim. Mësimdhënësit duhet të futen sërish në rivlerësim. Jo të gjithë mësimdhënësit meritojnë paga të larta. Një pjesë e madhe e mësimdhënësve nëse i nënshtrohen testimit meritojnë me automatizëm të përjashtohen pas testeve”, deklaroi Hoxha.
Reagimi i Kushit ka qenë i menjëhershëm.
“Kush duhet me na testu? Kush do ta bëjë vlerësimin? Mi thuaj dhjetë emra. Nuk mund të manipulosh. Ne i kemi bërë ato teste nëpër fakultete”, ka thënë Kushi./Telegrafi/