Telegrafi

Përplasja në zyrat e FRD, Meta: Bashkia nuk mund të bëjë vetëgjyqësi, duhet t’i drejtohej gjykatës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në një komunikim me mediat tregoi marrëveshjen që sipas tij bashkia e Tiranës ka nënshkruar që në 23 mars 2016 me Frymën e Re Demokratike, ku thuhet se të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme të zgjidhen me mirëkuptim, në rast të kundërt kompetente për ta zgjidhur çështjen do të jetë Gjykata Administrative.

“Pra, bashkia duhet të shkonte në Gjykatë, nuk ka autoritet ta zgjidhë me vetëgjyqësi këtë çështje.

Bashkia ka shpërdoruar detyrën. Vetëm pas presionit mediatik, në 13 mars bashkia ka dorëzuar një shkresë formale”, tha kreu i shtetit, njofton Euronews.al.
Kreu i shtetit i cilësoi veprimet e Bashkisë Tiranë për lirimin e zyrave të FRD-së në rrugën “Abdi Toptani” në kryeqytet si të kundraligjshme dhe se është shkelur Kushtetuta.

“Të gjitha veprimet e kryetarit të Bashkisë dhe administratës së tij ndaj FRD-së janë kryer në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjin, në shpërdorim të detyrës dhe pa asnjë akt që të legjitim zyrtar të shkruar që të legjitimojë veprimtarinë tyre”, tha kreu i shtetit.

Sipas tij, përplasja e së premtes në zyrat e FRD-së ishte një sulm të mazhorancës për të minuar pluralizmin në vend

“Sulmi i dhunshëm ndaj kësaj force politike vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje me PD-në dhe aleatët është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme të maxhorancës me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike dhe përpjekjet për të minuar pluralizimin politik”, u shpreh presidenti Meta.