Seanca e sotme në Parlamentin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione mes deputetit Edi Paloka dhe kryeministrit Rama e ministres së Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropalit. Pas momentit të spërkatjes me bojë të kryeministrit Rama, disa reagime kanë ardhur prej tij dhe Elisa Spiropalit, të cilat nuk janë dëgjuar në mikrofon.
Në kamera duket kryeministri teksa e quan Palokën “plehrë”, ndërsa Elisa Spiropali, e frikësuar prej asaj që ndodhi i drejtohet atij me fjalët “qelbësirë”, “s’ka turp”.
Një veprim tjetër që vihet re është refuzimi me përçmim dhe indiferencë që Edi Rama i bën Spiropalit, teksa ajo përpiqet t’i ofrojë atij në shami për t’u fshirë.
Teksa kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ka kërkuar demokratit Edi Paloka të linte sallën, ky i fundit ka kërkuar që të merren masa edhe ndaj kryeministrit Rama, për talljet e të sharat ndaj tij. /Telegrafi/