Site icon Telegrafi

Përplasja ndërmjet dy anijeve në Detin Baltik, njëra u përmbys me dy persona që përfunduan në ujë – shpëtimtarët kishin dëgjuar ‘ulërima’

Një anije mallrash britanike është përplasur me një anije daneze në Detin Baltik, duke bërë që kjo e fundit të përmbytet dhe të paktën dy anëtarë të ekuipazhit të zhduken.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, anija Scot Carrier, e regjistruar në Britaninë e Madhe, dhe danezja Karin Hoej u përplasën me njëra-tjetrën rreth orës 3:30 të mëngjesit të së hënës, teksa lundronin midis pjesës jugore të Suedisë dhe ishullit danez të Bornholm.

Gjashtë varka shpëtimi dhe tre helikopterë u gjendën në vendngjarje me anije të tjera aty pranë që garonin për të ndihmuar, pasi ekipet e kërkimit thanë se ‘ulërimat’ u dëgjuan nga uji rreth orës 4:45 të mëngjesit.

Por deri në orën 9 të mëngjesit nuk ishte gjetur asnjë shenjë jete me dy nga ekuipazhi danez që ende mbeten të pagjetur.

Në anën tjetër, ekuipazhi i anijes në Mbretërinë e Bashkuar janë të gjithë të sigurt.

Roja bregdetare suedeze tha se duket se anija britanike ka goditur atë daneze ndërsa dyshja lundronte në të njëjtin drejtim përmes kanalit në orët e para.

Jonas Franzén, zëdhënës i Administratës Detare Suedeze e cila po udhëheq përpjekjet e shpëtimit, tha se nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen.

Parashikuesit thanë se moti në kanal ishte i qetë, por me mjegull në momentin e përplasjes.

Temperaturat ishin të ftohta – vetëm 4C (39F) në ujë dhe 5C (41F) në ajër – duke vendosur kohën e mbijetesës në ujë rreth një orë.

Ekipet e shpëtimit danezë thanë se dy persona nga Karin janë zhdukur dhe supozohet se kanë rënë në ujë.

Helikopterët kanë kontrolluar vendin e ngjarjes disa herë, por deri më tani nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të njerëzve, raportoi Ekstra Bladet.

“Mund të konfirmoj se ka ndodhur një aksident, por nuk i di rrethanat”, shtoi Soren Hoj, drejtor menaxhues i Rederiet Hoj, i cili zotëron Karin Hoej. /Telegrafi/

Exit mobile version