Telegrafi

Përplasja mes debatit të fundit presidencial, Biden krahason Kim Jong-un me Hitlerin

Gjatë debatit të tretë presidencial dhe njëherësh të fundit mes Donald Trumpit dhe Joe Bidenit në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, kanë ndodhur shumë përplasje.

Biden sulmoi Trump për marrëdhënien e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duke deklaruar se presidenti i tanishëm kishte “legjitimuar Korenë e Veriut”.

“Ai flet për mikun e tij të mirë (Kim Jong-un) i cili është një bandit. Dhe si mund të thotë që marrëdhëniet janë mirë kur Koreja e Veriut është në gjendje ta gjuajë një raketë që mund të arrijë në territorin e SHBA-së”, u shpreh ai gjatë debatit.

Në përgjigje të komenteve, Trump theksoi se vendi nuk është në luftë me Korenë e Veriut, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi një marrëdhënie të mirë”, u shpreh ai, duke shtuar se presidentët duhet të kenë raporte të mira me udhëheqësit e huaj.

Biden më pas iu kundërpërgjigj duke e krahasuar liderin veri-korean me Hitlerin.

“Ne kishim marrëdhënie të mirë me Hitlerin para se ai ta pushtonte Evropën, të lutem”, tha Biden. /Telegrafi/