Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka eskaluar situata, ku pati edhe përleshje fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave.
Në momentin kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po iu drejtohej deputetëve, ai është gjuajtur me ujë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Menjëherë pas kësaj, pati reagime të shumta nga fytyrat publike, mes tyre edhe nga artisti i njohur, Genc Prelvukaj.
Në një postim në Facebook, Prelvukaj tha se dhuna në kuvend shpreh mjerimin e partisë në pushtet.
Artisti ishte i ashpër ndaj Vetëvendosjes duke thënë se ata dëmtuan raportet me aleatët dhe fajtor për përplasjen me Shqipërinë derisa komunikimi me strukturat kriminale serbe e zhvillojnë paqësisht.
Më poshtë postimi i plotë i Genc Prelvukaj:
Goditja me shishe e Besnik Bislimit që më pas provokoi dhunën në kuvend, shpreh mjerimin e partisë në pushtet. Ndërkohë i paskan stimuluar fundamentalistet e tyre, rëndom të pa nivel, për të kaluar fajin tek krahu tjetër.
Tani kush viktimizohet? Ata që sollën dhunën nga rruga në institucione, ata që me gurë të mëdhenj thyenin kokat e policëve në detyrë, ata që hidhnin veze, ujë, gurë e ngjyrë ndaj zyrtarëve të shtetit, ata që sulmonin me eksploziv shtëpitë e kundërshtarëve, ata që alivanosnin deputetët me gaz lotsjellës, ata që nuk lanë pa njollosur, linçuar e sulmuar verbalisht secilin që mendon ndryshe, ata që krijuan diskurs ndaj luftës.
Pastaj, ata që nuk kanë hedhur asnjë lopatë zallë qe tri vjet në qeverisje, derisa çmimet kanë arritur në stratosferë e populli varfërohet çdo ditë.
Ata që po kthehen me bisht nën shalë nga veriu pasi na futën në sanksione dhe dëmtuan raportet me aleatët. Ata që përplasen me Shqipërinë, derisa komunikimin me strukturat kriminale serbe e zhvillojnë paqësisht.
Gjithsesi dhuna është gabim, ndaj deputetet e opozitës duhet të përmbahen nga provokimet e partisë në pushtet, një kolektiv ky që përveç rrugaçërisë nuk di të bëjë asnjë gjë tjetër.
/Telegrafi/