Telegrafi

Përplasi për vdekje të moshuarin, arrestohet shoferi: Ishte vëllai në timon, jo unë

Policia e Durrësit ka arrestuar 29-vjeçarin që dyshohet se më datë 15 qershor aksidentoi për vdekjen një 77-vjeçar në lagjen nr.13, të qytetit bregdetar.

Në pranga ka përfunduar dhe vëllai 25-vjeçar, në bazë të dyshimeve për rrethanat e këtij aksidenti.

Kanë qenë deklarimet e 29-vjeçarit ato të cilat sollën arrestimin e të vëllait. Ai deklaroi përpara hetuesve se ishte vëllai 25-vjeçar që drejtonte makinën kur ndodhi aksidenti i rëndë.

Policia bën me dije se po vijon veprimet hetimore për të individualizuar përgjegjësinë penale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 11:00 të datës 15.06.2024, në lagjen nr.13, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Z. K., 77 vjeç, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore:

-ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”;

-ndaluan me iniciativë vëllanë e 29-vjeçarit, shtetasin M. P., 25 vjeç, pas deklarimit të shtetasit A. S. se në momentin e aksidentit, automjeti drejtohej nga shtetasi M. P.”- thuhet në njoftimin e policisë.