Telegrafi

Përplaset vetura në rrethojën mbrojtëse të Parlamentit në Londër, arrestohet shoferi – raportohet për këmbësorë të lënduar (Foto/Video)

Një numër i këmbësorëve janë lënduar dhe një burrë është arrestuar nga policia,  kur vetura të cilën po e ngiste u përplas në rrethojën mbrojtëse të Parlamentit në Londër, ka njoftuar policia metropolitane, shkruan CNN.

Sipas tyre shoferi i veturës është arrestuar nga policia në vendin e ngjarjes, ndërsa incidenti ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit të sotëm, transmeton Telegrafi.

“Tani nuk mund të komentojmë asgjë”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë metropolitane gjatë një interviste dhënë për CNN.

Për shkaqe sigurie, stacioni i metrosë afër Westminster është mbyllur, ndërsa një dëshmitare okulare Ewelina U.Ochab, ka deklaruar se në momentin kur vetura është përplasur në rrethojën mbrojtëse, ajo ishte duke biseduar me dikë në anën tjetër të rrugës.

“Dëgjova një zhurmë dhe dikush filloi të bërtasë. Kur u ktheva pashë një veturë ngjyrë hiri duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe atë nëpër trotuar. Shoferi i veturës nuk doli jashtë edhe pas përplasjes, kurse rojet menjëherë filluan t’iu bërtasin qytetarëve që të largohen”, ka shtuar dëshmitarja. /Telegrafi/