Telegrafi

Përplaset me fytyrë në parket pas ngulitjes, Kriss Dunn i Chicagos thyen dhëmbët (Video)

Fundori plejmejker i Chicago Bulls, Kriss Dunn, ka pasur një momen tejet të papërshtatshëm në duelin ndaj Golden State Warriors.

Teksa ekipi i tij po luftonte për t’u kthyer në lojë në çerekun e katërt, Dunn ishte ai që me mbrojtje të fortë rrëmbeu topin nga Klay Thompson dhe u nis në një kundërsulm.

Ai nguliti në mënyrë spektakolare, por plani i tij shkoi keq, duke u përplasur me fytyrë në parket pas kësaj ngulitje, me ç’rast është lënduar keq.

Dunn u shfaq i përgjakur teksa loja vazhdoi, por u desh të ndërpritej.

Chicago Bulls me anë të një komunikate ka konfirmuar se dy dhëmbët e përparmë janë thyer.

“Kriss Dunn ka thyer dhe dislokuar dy dhëmbët e përparmë kur ka rënë me fytyrë në parket në ndeshjen ndaj Golden State. Situata e tij do të rivlerësohet gjatë ditës”, shkruan në një komunikatë të Chicago Bulls.

Në sezonin e tij të dytë, Dunn ka mesatare prej 13.6 pikësh dhe 6.4 asistimesh.

/Telegrafi/