Një furgon që transportonte nxënësit e shkollës profesionale të Bulqizës drejt minierave është aksidentuar.
Nxënësit e degës Gjeologji-Miniera shkojnë çdo ditë për të kryer praktikën në galeritë e kromit.
Nga informacionet e marra, pesë gjimnazistë janë dërguar në spital.
Burime nga spitali bëjnë me dije se të pestë nxënësit që po marrin ndihmën mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 15:20, në aksin rrugor rural që lidh qytetin e Bulqizës me zonën e antenave, shtetasi Xh. S., duke drejtuar automjetin (furgon), ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Për pasojë, kanë mbetur të dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën, drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. S., si dhe shtetasit E. P., A. C., Xh. P., E. D. dhe B. V. (pasagjerë në këtë furgon).
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti. /Telegrafi/