Site icon Telegrafi

Përplasen Sokoli dhe Tovërlani

Skuadra më e madhe në vend, Prishtina e nisi në mënyrën më të mundshme kampionatin duke shënuar fitore në dy ndeshjen e para të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Në xhiron e parë, skuadra ‘bardhekaltër’ e mundi në fushën e saj Istogun me shifrat 2:1 ndërkohë që në takimin derbi të zhvilluar në fundjavë në Pejë ndaj Besës, të përzgjedhurit e trajnerit Bylbyl Sokoli arkëtuan pikë të plota duke fituar me shifrat 2:1.

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani, i cili në edicionin e kaluar e ka drejtuar Prishtinën ka thënë se këtë skuadër të Prishtinës do ta mundte pa problem. Këto deklarata, Tovërlani i ka dhënë për ‘Sport Plus’ pas ndeshjes Prishtina-Istogu. “Në bazë të lojës së parë, po ta sfidoja sot Prishtinën, do ta kisha mundur pa problem”, ishte shprehur Afrim Tovërlani.

“Istogu luajti lojë i tërhequr dhe Prishtina normalisht se u desh që të sulmojë”, përfundoi prononcimin e tij, Afrim Tovërlani, i cili me Prishtinën i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës. Tovërlani aktualisht është i papunë.

Kundërpërgjigjet Sokoli

Ndërkohë, ‘timonieri’ Sokoli mendon ndryshe. “Afrim Tovërlani e ka pasur vështirë ta mund një skuadër të Ligës së Parë, Ferizajn kur e ka drejtuar një super-ekip që kishte Prishtina e cila ka pasur lojtarët më të mirë në Kosovë, e po e mund Prishtinën e sotme”, ka thënë Bylbyl Sokoli.

Prishtina dhe Ferizaj janë takuar në edicionin 2012-13 në kuadër të finales së Digitalb Kupës së Kosovës. Sokoli në atë kohë e ka udhëhequr Ferizajn derisa Prishtina (drejtohej nga Afrim Tovërlani) iu gëzua Kupës vetëm pas ekzekutimit të penalltive. “Unë nuk merrem me deklarata të nivelit të ultë”, potencoi Bylbyl Sokoli.

Prishtina më 6 janar do të sfidojë në një ndeshje miqësore skuadrën e Sivasspor, e cila bënë gara në elitën e futbollit turk. “Kjo ndeshje është vazhdimësi e takimeve miqësore me klube të huaja, takime të cilat Prishtina i ka zhvilluar edhe më parë në Zvicër e Gjermani. Do të shërbej për ndërkombëtarizmin e futbollit kosovar”, përfundoi Bylbyl Sokoli. /Telegrafi/ 

Exit mobile version