Kuvendi konstatoi dorëheqjen e ministrit të financave Zoran Stavrevski. Por emërimi i ministrit të ri të Financave, ka nxjerrur në shesh dëshmitë e opozitës dhe pushtetit për dështimin dhe arritjet ekonomike të vendit. Kryeministri teknik Emill Dimitriev para deputetëve deklaroi se Zoran Stavrevski me angazhimin e tij personal dhe profesional, dha kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë. Ndërsa ministri i ri Kirill Minovski, sipas tij,është kuadër i dëshmuar në funksionet paraprake, njofton Tv Shenja.
“Në pajtueshmëri me numrin e madh të sukseseve dhe kualiteteve profesionale personale, mendoj se doktor Kirill Minovski mund të përgjigjet në obligimet dhe përgjegjësitë që dalin me udhëheqjen e ministrisë së financave”, ka deklaruar Emill Dimitriev, Kryeministër teknik.
Por sipas deputetit të PDSH-së, Orhan Ibrahimi, Zoran Stavrevski i mbështetur nga BDI, ka harxhuar buxhtit në projekte monoetnike, ndërsa ministri i ri është kuadër i dëshmuar që ka plaçkitur shqiptarët. Ndërsa deputeti i BDI-së Rafiz Aliti, deklaron se akuzat e opozitës janë pjesërisht të pranueshme, por Maqedonia është shtet multietnik.
Janë mbi 1 miliard euro në vit që ky ministër në ike i ka bë vjedhje shqiptarëve me leje të BDI-së. Si parti vazale ata e kanë votuar çdo buxhet dhe e kanë votuar atë ministër në atë kohë dhe tani do të votojnë një ministër i cili vjen prej një drejtorie me përvojë të madhe njëjtë si Stavrevski, për reket dhe haraç që ju bën shqiptarëve”, tha Orhan Ibrahimi, PDSH.
“Sa u përket akuzave të opozitës, pjesërisht mund të mbajnë, por mbi të gjitha, çdo ministër i financave implementon politikat e Qeverisë, kështu që janë bërë projekte edhe në viset shqiptarëve, kështu që ato kritika mendoj që nuk mbajnë. Një ndër faktorët që ka dhënë Stavrevski dorëheqje gjithsesi se lidhen edhe me përgjimet dhe situatën politike në Maqedoni, deklaroi Rafis Aliti, BDI.
Deputeti i LSDM-së, Marianço Nikollov akuzon Stavrevskin se ka trefishuar borxhin publik dhe ka rritur varfërinë në vend, duke e ulur në nivel me Ugandën dhe Afganistanin. Ai kërkoi nga Ministri i ri që të ndaj më pak çokollatë dhe më tepër bukë për qytetarët por edhe të risë transparencën e harxhimit të buxhetit. Por deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski u kundërpërgjigj se opozita duhet ti japë mirënjohje Stavrevskit për uljen e kontributeve, të tatimeve të të ardhurave dhe të fitimit, për uljen e TVSH-së për dhjetëra prodhime të cilat në kohën e LSDM-së ishin dhjetë shkallë më të larta./Telegrafi/