Site icon Telegrafi

Përpjekje për t’i rregulluar kriptovalutat

Keqpërdorimi i energjisë elektrike për shumë vjet në veri të Kosovës për prodhimin e kriptovalutave, apo valutave digjitale, ka bërë që shteti i Kosovës të mendojë nxjerrjen e një ligji për këtë çështje.

Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri dhe Tregti, ka filluar procedurat për Projektligjin për kriptovaluta.

Në katër komunat me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicën Veriore, që nga paslufta nuk paguhet energjia elektrike nga banorët që jetojnë atje.

Kjo ka bërë që prodhimi i kriptovalutave të bëhet duke shpenzuar energjinë elektrike falas e duke fituar shuma të mëdha pas prodhimit.

Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike. Kompjuterët lidhen me energji elektrike dhe të njëjtit shpenzojnë energji elektrike dhe kryejnë procedurën e njohur si “miniera” (mining).

Sipas njohësve të kësaj industrie, një pajisje me pesë kartela grafike shpenzon rreth 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike.

Përmes Projektligjit për kriptovaluta, synohet të bëhet kategorizimi i kriptovalutave dhe format e taksimit, në mënyrë që kjo industri të ketë pajtueshmëri me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të transferimit të parave dhe për parandalimin e pastrimit të parave.

Deputetja e nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që është pjesë e Komisionit për Ekonomi, Industri dhe Tregti, Mimoza Kusari-Lila, tha se do të ndjekin shembujt e Bashkimit Evropian të rregullimit të kësaj industrie.

Sipas saj, në BE është krijuar një direktivë, pjesë e së cilës është bërë edhe verifikimi i transaksioneve për të parandaluar shpëlarjen e parave.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që ka hapësirë të mjaftueshme që të ketë një trajtim të mirëfilltë të çështjes, duke filluar nga elementi i makinerisë, përcaktimi i rregullave për import, që deri më tani nuk është e rregulluar, pastaj trajtimi i vetë veprimtarisë, a do të taksohet apo jo dhe çfarë qasje do të ketë shteti i Kosovës ndaj kësaj veprimtarie”, tha Kusari-Lila.

Për këtë projektligj, është organizuar edhe një diskutim i hapur për të diskutuar hapat që duhet të ndërmerren.

Inxhinieri i teknologjisë Ermal Sadiku, që e njeh mjaftë mirë këtë industri, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk duhet të presë më shumë dhe duhet marrë një vendim për lejimin ose ndalimin e kriptovalutave.

Ai tha se Kosova duhet t’u tregojë investitorëve të huaj që është e interesuar të bëj legjislaturë të nevojshme, në mënyrë që ata të vijnë dhe të investojnë.

“Në momentin që askush nga institucionet nuk ka folur për këtë punë, e lejon edhe keqpërdorimin që iu bëhet njerëzve prej investitorëve të rrejshëm, sepse investitorët e rrejshëm apo keqpërdoruesit, lulëzojnë kur nuk ka legjislaturë”, tha Sadiku.

Sadiku tha se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës që merren me kriptovaluta, do ta kishin më të lehtë punën nëse votohet ky projektligj.

“Flitet që janë duke u marrë shumë, por nuk dihet numri i saktë, është e pamundur të kontrollet. Shumica janë anonimë dhe do të vazhdojnë në këtë formë. Unë mendoj se njerëzit megjithatë janë të interesuar të bëhet ky projektligj dhe të paguajnë taksa, sepse ua lehtëson atyre punën”, tha Sadiku.

BQK: Projektligji kontrollon shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli tha për Radion Evropa e Lirë se për BQK-në, ka qenë shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të jenë të njoftuar me rreziqet potenciale që vijnë nga investimi i mjeteve në këto asete.

“Është problematike të thuhet se mund të rregullohet tregu i kripto-asteve, sepse si Bankë Qendrore i konsiderojmë si asete të cilat lëvizin në bazë të spekulimeve dhe jo në bazë të vlerës përbërëse, mirëpo është problematike të thuhet që mund të rregullohet ky treg sepse është treg tejet i decentralizuar”, tha Havolli.

Ai tregon segmentet me të cilat do të merret ky projektligj, nëse miratohet në të ardhmen.

“Kryesisht ndërlidhen me luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, njoftimin dhe edukimin e konsumatorit lidhur me kripto-asetet, tatimimin ose taksimin eventual të tyre sepse nëpërmjet investimeve gjenerohen profite dhe kur gjenerohen profite, qytetarët dhe bizneset i obligohen tatimit në profit”, tha Havolli.

Çka janë kriptovalutat?

Kriptovalutat, ose “kriptot” (Cryptos), tanimë po konsiderohen si e ardhmja e parasë. Ato ndryshojnë nga monedhat tradicionale të letrës, pasi nuk ka monedha fizike dhe paratë janë plotësisht virtuale.

Ende nuk janë pranuar si një ndër valutat kryesore, porse një numër në rritje i kompanive dhe institucioneve financiare po i blejnë ato dhe po u kushtojnë atyre vëmendje në të gjithë botën.

Prodhimi i kriptovalutave digjitale ka filluar qysh në vitin 2009, por hovin më të madh e ka pasur në vitin 2017, kur kanë filluar të prodhohen edhe në Kosovë. Shumica e tyre prodhohen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, në Kosovë janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike, ndërsa rreth 3 milionë euro pajisje për prodhim të kriptovalutave digjitale. /Rel/

Exit mobile version