Telegrafi

Përpjekje për shpëtimin e tregjeve botërore

Tregjet në Azi

Banka Qendrore Japoneze ofroi 14 miliardë dollarë në momentin kur indeksi në bursën e Tokios ra me mbi 3 për qind. Në Hong Kong indeksi i aksioneve ra me 4 për qind. Analistët mendojnë se bursistët ende nuk janë bindur nga përpjekjet amerikane për stabilizimin e tregjeve dhe po kërkojnë zgjidhje alternative për aksionet e veta, njofton nga Tokio një korrespondent i BBC-së.

Tregjet në SHBA

Në Nju Jork, indeksi Dow Jones u mbyll të mërkurën me pak mbi 4 për qind. Tregjet vazhduan të shënojnë rënie, pavarësisht ndërhyrjes që bëri qeveria amerikane të martën për të parandaluar falimentimin e kompanisë më të madhe amerikane të sigurimeve, AIG.

Shtëpia e Bardhë tha se vazhdon shqetësimi për fatin e kompanive të tjera të mëdha financiare. Ka njoftime se banka Morgan Stanley, aksionet e së cilës ranë të mërkurën me 25 për qind, po shqyrton mundësinë e bashkimit me bankën amerikane Wachovia. Interes për blerjen e një prej emrave më të mëdhenj në Wall Street ka shprehur edhe një bankë kineze.

Tregjet në Britani

Institucioni më i madh i dhënies së kredive për banesa në Britani është blerë nga një prej rivalëve të vet. Në një marrëveshje me ndërmjetësimin e kryeministrit Gordon Brown, Lloyds/TSB ra dakord të blejë HBOS-në, aksionet e së cilës pësuan rënie të ndjeshme në bursë.

Edhe më parë ka pasur shqetësime se HBOS ishte ekspozuar tej mase ndaj ngadalësimit të vënë re në tregjet e banesave në Britani dhe SHBA.

Marrëveshja për blerjen e këtij institucioni financiar do t’i kushtojë Lloyds-it 21 miliardë dollarë dhe banka që do të dalë nga bashkimi i tyre do të ketë një të tretën e llogarive të kursimit dhe kredive për banesa në Britani.

Bursa e Parisit në nivelin e saj më të ulët që nga maji 2005

Bursa e Parisit u mbyll dje, të mërkurën, në nivelin e saj më të ulët që nga maji i vitit 2005, CAC 40 ra në 2,14 për qind. Në Frankfurt, DAX e mbylli të mërkurën në rënie prej 1,75 për qind. Në Londër, Footsie-100 rënie prej 2,25 për qind.