Shëndeti publik është shkenca dhe arti i parandalimit të sëmundjes dhe promocionit të shëndetit mendor dhe fizik dhe eficiencës përmes përpjekjeve të organizuara të shoqërisë. Shëndeti publik është një koncept social dhe politik që synon në përmirësimin e shëndetit, zgjatjen e jetës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës midis gjithë popullsisë përmes promocionit, parandalimit të sëmundjeve dhe formave të tjera të ndërhyrjeve shëndetësore.
Sistemi shëndetësor në Kosovë është kryesisht publik. Shteti siguron pjesën më të madhe të shërbimeve që i ofrohen popullatës, si në fushën e promocionit, parandalimit, diagnostikimit dhe kurimit. Sektori privat është akoma në hapat e para dhe mbulon pjesën më të madhe të shërbimit farmaceutik, shërbimit stomatologjik dhe disa klinika diagnostikuese specialitetesh të cilat janë përqendruar kryesisht në Prishtinë.
Shpeshherë shëndetësia ne Kosove është konstatuar si e sëmurë. Gjithsesi duhet theksuar disa përpjekje që po bëhen nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ne Ferizaj, gjithnjë sipas raportit vjetor të paraqitur nga kjo drejtori për vitin 2014. Së pari duhet theksuar se kjo drejtori është e organizuar përmes dy sektorëve: Sektori i Shëndetësisë dhe Sektori i Mirëqenies Sociale. Kjo drejtori qysh në fillim të vitit 2014, ka hartuar planin e punës duke i përcaktuar objektivat dhe prioritet në kuadër të buxhetit të përcaktuar. Në kuadër të buxhetit për vitin kalendarik 2014, shuma për shëndetësi ka qenë 520 mijë euro, por nëse i referohemi numrit të banorëve, për një regjion me mbi 300 mijë banorë – ku gravitojnë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpca dhe Shtimja – kjo shumë është pak. Gjithsesi, përpjekjet nuk kanë munguar. Janë blerë disa ambulance, dhe rritja e numrit të punëtorëve përmes Marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Kryetarit të Komunës, Muharrem Svarqa dhe Caritas Kosova, prej 100 punëtorëve..
Megjithatë, si sfidë kryesore mbetet mos furnizimi i mjaftueshëm me barna esenciale nga Ministria e Shëndetësisë si kompetente kryesore. Në raportin e paraqitur nga drejtoria e shëndet theksohet se “edhe përkundër kërkesave tona të vazhdueshme nuk u realizuan gjë që kjo e dëmton qytetarin, pacientin, i cili në të shumtën e rasteve nuk ka mundësi të pajiset me barna të nevojshme me mjete vetanake. Rreth furnizimit me barëra esenciale që nuk jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ne jemi angazhuar që përmes të hyrave vetanake të bëjmë sigurimin e tyre për t’u dalë në ndihmë qytetarëve”.
Edhe përkundër angazhimit të Dr. Burim Karameta – drejtor në DSHMS – nevojitet shumë punë dhe angazhim, që qytetarëve të Ferizajt t’ju rikthehet besimi në shëndetësi, që pacientët mos të vdesin aty ku duhet të gjejnë shërim…!