Telegrafi

Përpjekje kundër ofensivës të mundshme turke

Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kanë dënuar sulmet e fundit nga PKK-ja kundër Turqisë por të dy vendet i kanë kërkuar Turqisë që të mos ndërmarrë inkursione ushtarake brenda Irakut për të kundërshtuar këtë kërcënim.

Në një deklaratë të përbashkët Condolezza Rice dhe David Milliband i kërkuan Turqisë dhe Irakut të bashkëpunojnë për të eliminuar kërcënimin e rebelëve kurdë.

Presion ndërkombëtar
SHBA-të e kanë shtuar presionin ndaj Irakut për të ndërmarrë veprime të shpejta kundër PKK-së.

Condolezza Rice u ka bërë thirrje udhëheqësve politike në Bagdad dhe rajonit kurd të Irakut që të ndërmarrë hapa të mëtejshme për të ndaluar operacionet e PKK-së nga territori Irakian.

Sekretarja Amerikane e Shtetit tha se ajo priste që qeveria irakiane të ndërmerrte përpjekje reale, megjithëse ajo nuk specifikoi se çfarë veprimesh do të duhet të ndërmerrte kundër PKK-së.

Ndërkohë njoftimet nga Turqia thonë se ushtria po dërgon ushtarë dhe armatim të rëndë në kufi me Irakun.

Qeveria ka thënë se do të ndërhyjë në rast se nuk ndërpriten veprimet e PKK-së brenda ditëve të ardhshme.

Grupimi kurd ka thënë se është i gatshëm për armëpushim por theksoi se oferta ishte e kondicionuar.