Site icon Telegrafi

Përpjekje e kotë e Jeremiqit pët t’u bërë sekretar i OKB-së, s’e do as Amerika as Serbia

Qeveria e Serbisë nuk do ta përkrahë kandidaturën e Vuk Jeremiqit për Sekretar të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Kështu shkruan gazeta “Danas” e Beogradit t’i kenë thënë burime të Qeverisë serbe, transmeton Koha.net.

Bashkëbiseduesit e gazetës që kanë dashur të mbeten anonimë, kanë thënë se Jeremiq po lobon fuqimisht për këtë përkrahje.
Për Jeremiqin po lobojnë edhe zyrtarë rusë, por nga ana tjetër, nga burime diplomatike amerikane e evropiane po dëgjohen kundërshtime të fuqishme, e madje edhe frikë për shkak të mundësisë që Jeremiq të përfshihet dhe të përkrahet në këtë kandidaturë.

Afati deri kur Serbia duhet të përcaktohet për kandidatin, skadon brenda disa ditësh.
Vuk Jeremiq, ish – ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë në kohën kur kryetar i Serbisë ishte Boris Tadiq dhe kryetar i Asamblesë së Përgjithshme i KB-së nga shatori i vitit 2012 deri në shtatorin e vitit 2013, është i njohur me deklarimet e tij kundër Kosovës.

Nga ajo periudhë ai mbahet ndër mend me fjalinë kërcënuese: “Kosova në OKB mund të hyjë vetëm mbi trupin tim të vdekur” .

Exit mobile version