Përparimi global në luftën kundër trashësisë është “tepër i ngadalshëm”, thanë të mërkurën, ekspertët e shëndetësisë, dhe vetëm një e katërta e vendeve i ka aplikuar politikat e ushqyerjes së shëndetshme para vitit 2010.
Në një seri studimesh të publikuara në revistën mjekësore Lancet, shkencëtarët thonë se në një periudhë prej më pak se një gjeneratë, norma e fëmijëve obesë në botë është rritur në mënyrë dramatike meqë shumë pak vende i kanë zbatuar masat për t’i mbrojtur fëmijët ose për t’i zbatuar rekomandimet për ushqyerje të shëndetshme.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 39 për qind e të rriturve në botë vitin e kaluar ishin në kategorinë me mbipeshë, ndërsa 13 për qind ishin të trashë. Rreth 42 milionë fëmijë nën pesë vjeç në vitin 2013 ishin me mbipeshë apo të trashë.
Të dhënat e reja të publikuara në Lancet sugjerojnë se fëmijët në Shtetet e Bashkuara e hanë një mesatare prej 200 kcal në ditë më shumë se në vitet ‘70.
Tim Lobstein nga Federata Botërore për trashësi dhe një nga hulumtuesit në studimet e fundit thotë se sot industria ushqimore e ka një interes të veçantë për t’i vënë në objektiv fëmijët, meqë ekspozimi i rregullt ndaj ushqimeve të përpunuara dhe pijeve të ëmbla në fëmijëri e gjeneron lojalitetin ndaj brendit dhe përfitime të mëdha, transmeton koha.net. “Fëmijët e trashë janë investim në shitjet e ardhshme”, thotë ai.
Shkencëtarët prandaj po bëjnë thirrje për mbikëqyrje më të rreptë dhe rregullim të rregullativave ndërkombëtare për reklamimin e ushqimit në mënyrë që të mbrohet shëndeti i fëmijëve dhe rregullimin e cilësisë nutritive të ushqimit nëpër shkolla.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje për aplikimin e taksave në produktet jo të shëndetshme, për subvencionimin e ushqimit të shëndetshëm për familjet e varfra dhe për etiketimin e detyrueshëm të ushqimit ashtu që industria të detyrohet të prodhojë produkte të shëndetshme. /Telegrafi/