Telegrafi

Përparim Rama prezanton Master Planin e Gollakut në Berlin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar Master Planin e Gollakut gjatë Festivalit Global të Gastronomisë Shqiptare, i cili u mbajt në Berlin për dy ditë, me pjesëmarrje të gjerë nga përfaqësues të bizneseve ndërkombëtare dhe investitorë globalë.

Kryetari Rama theksoi rëndësinë e planit për ta shndërruar Gollakun në një qendër të rëndësishme për turizmin, bujqësinë dhe agroturizmin, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe pozicionimin e tij në hartën ndërkombëtare të destinacioneve turistike, transmeton Telegrafi.

“Gjatë festivalit dy-ditor, promovuam bukuritë natyrore të Gollakut, trashëgiminë e pasur të kryeqytetit tonë dhe potencialet e mëdha për zhvillimin ekonomik dhe turistik, duke tërhequr interesin e investitorëve dhe profesionistëve nga e gjithë bota. Një moment i veçantë ishte takimi me Legjendat Shqiptare të Gastronomisë, Bruno Selimaj dhe Sabit Bytyqi, që përfaqësojnë më së miri traditat tona kulinare “, deklaroi Kryetari Rama.

Festivali Global i Gastronomisë Shqiptare, i cili bashkoi shijet e pasura dhe traditat e kuzhinës shqiptare, u shndërrua në një platformë ideale për të promovuar vlerat dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës dhe Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

Komuna e Prishtinës njofton se përmes këtij plani transformues, Gollaku pritet të shndërrohet në një destinacion unik, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe investime në fushën e turizmit dhe ekonomisë lokale./Telegrafi/