Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se vendimi për shfuqizimin e planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria” ka ardhur për shkak të mungesës së ligjshmërisë.
“Kërkesat e qytetarëve kanë qenë për mos shfuqizim të këtij plani, por ne faktikisht e kemi marrë vendimin prej Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, të cilët e kanë kontaktuar edhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor. Ata kanë marrë vendim që plani për Kalabrinë ka qenë ndesh me ligjshmërinë dhe për atë arsye kanë kërkuar nga ne që ta shfuqizojmë atë. Pra, procedurat nuk kanë qenë të rregullta. I kuptoj plotësisht qytetarët e Prishtinës dhe i dimë nevojat e tyre. Ne jemi takuar me ta dhe u kemi treguar se ne do t’i hyjmë procesit të mirëfilltë dhe do ta bëjmë këtë plan të ligjshëm”, ka thënë Rama në RTK.
Ai ka thënë se plani që ekziston tash nuk është i ligjshëm dhe do të kishte probleme në të ardhmen.
“Pra, shfuqizimi është vetëm nga aspekti për ta rregulluar procedurën. Po ashtu rritja e koeficientit që ka ndodhur duhet të analizohet për t’iu përshtatur nevojave të qytetarëve. Mos të ndërtojmë vetëm metra katrorë por edhe vlera shoqërore dhe të kemi qasje të mirëfilltë në shkolla, parqe e trotuare etj. Nuk duam të punojmë siç është bërë deri tash“, ka shtuar Rama.
I pari i kryeqytetit ka folur edhe për protestat e banorëve në lagjen Lakrishte, të cilët po kundërshtojnë marrjen e hapësirës në këtë pjesë nga ndërmarrja “Prishtina Parking” dhe nëse po shpërfillen kërkesat e qytetarëve.
“Jo asessi. Kërkesat e banorëve po mirren parasysh. Ne, faktikisht kemi vendosur që ta rishikojmë rregulloren dhe sot e kemi pasur edhe drejtorin e ‘Prishtina Parking’ në Asamble që të na prezantojë problemet dhe kërkesat e qytetarëve . Kemi pasur edhe grupin punues për drejtorive të komunës dhe kemi kërkuar edhe prej asamblesë si prej opozitës ashtu edhe prej qeverisjes që të kemi një konsensus dhe të krijojmë rregulloren e re.
Sa i përket asaj se tashmë i ka mbushur 100 ditë në krye të Komunës së Prishtinës, por ende nuk ka diçka konkrete në trasformimin e kryeqytetit siç kishte premtuar, Rama tha se “nuk është e vërtetë që nuk kanë filluar punët, por pëunët e mëdha duhet planifikuar”.
“Edhe gjatë fushtës e kam përmend që është një periudhë kohore 9 mujore e cila kërkon planifikim sepse nuk mundeni vetëm të dilni dhe të ndërtoni. Janë disa procedura që duhet përfillur; për shembull jemi duke u marrë me transformimin urban të Prishtinës, siç është ndërlidhja e Arbërisë me Qendrën, ku jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Kulturës, pasi na bashkojnë projektet e përbashkëta si objekti i Operës dhe Baletit. Me siguri javën e ardhshme do ta nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit dhe në të njëjtën kohë do të nisim procedurat që ta bëjmë konkursin ndërkombëtar”, ka nënvizuar Rama. Ai ka paralajmëruar edhe projektet tjera si ai i Prishtinës së vjetër, nënkalimi ndërlidhës i Dardanisë me Emshirin, Rruga A dhe Unaza e Mesme”, tha Rama.