Kështu të paktën mendojnë edhe shumë sportistë, trajnerë, lojtarë, drejtues të skuadrave e tifozë. Ajo çka i ka brengosur më së shumti është fakti se infrastruktura sportive në vendin tonë ka mbetur pothuaj e ngjashme dhe kjo është njëra nga arsyet pse sporti ynë nuk është ende në nivelin e duhur.
“Nuk mund të them se nuk ka pasur lëvizje pozitive, por ato kanë qenë të ngadalshme, veçmas në sportet ekipore, ndërkohë që sportet individuale kanë arritur më shumë sukses. Deri më tash asnjë qeveri nuk është ndërgjegjësuar që me investime të krijojë ambientin e përshtatshëm për zhvillimin e sportit. Kjo vlen veçmas për infrastrukturë, pa të cilën nuk mund të ketë sport të mirëfilltë. Sporti sikur ka qenë i harruar kështu që qeveria e ardhshme pavarësisht se cila do të jetë ajo, duhet të jetë shumë më serioze në renditjen e prioriteteve në mënyrë që sporti ta ketë vendin e vet të merituar”, thotë drejtori i FC Prishtina Sokol Krasniqi, sipas të cilit “është dëshmuar sa herë se sportistët janë ambasadorët më të mirë të një shteti. Suksesi i Majlinda Kelmendit është shembull se çka mund të bëjë një sportiste për shtetin”.
Të arriturat nuk i mohon as trajneri i njohur Bylbyl Sokoli, i cili megjithatë ka pritur më shumë. “Duke pasur parasysh kushtet nëpër të cilat ka vepruar mendoj se sporti për këto 6 vjet ka arritur rezultatet të mirë si në rrafshin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Mirëpo, infrastruktura ka mbetur ajo që ishte, me disa renovime kohën e fundit kryesisht në saje të punës së ministrit të Sportit Krasniqi. Vlen të përmendet sporti xhudos dhe medaljet e Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit e Nora Gjakovës, të cilat na bëjmë të mburremi, por edhe janë dëshmi se me punë profesionale e shkencore sporti ynë mund të arrijë nivelin e lartë. Edhe hendbolli ka pasur disa suksese, ndërkohë që futbolli ka arritur të luaj disa ndeshje me anëtarë të FIFA-së, shprehet Sokoli, duke mohuar zërat se ai është kundër pranimit të futbollit në arenën ndërkombëtare.
“Disa po mendojnë se unë jam kundër pranimit në FIFA, e unë jo që nuk jam kundër, por do të kisha dëshirë që jo vetëm ne, por edhe Presheve e Ilirida të pranohen në UEFA e FIFA. Megjithatë, unë jam për sportin unik shqiptar në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar. Me pranimin e Kosovës nga 107 shtete si dhe me pranimin në fondin monetar botëror mendoj se ne është dashur të jemi pjesë e UEFA-s e FIFA-s dhe e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, dhe të pranuar edhe në degët tjera sportive. Megjithatë për këto 6 vite nuk i kemi realizuar synimet tona. Është punuar shumë pak në proceset integruese që i paraprijnë politikës”, tha Bylbyl Sokoli.
Gjyqtarja e futbollit Sanie Krasniqi është e kënaqur dhe optimiste.“Besoj që ka përparime për vet faktin se shumë sportistë dhe përfaqësuese po marrin pjesë në garat ndërkombëtare dhe në kampionate të ndryshme. Pasi i përkas fushës së futbollit, arritje shumë e madhe është edhe lejimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare në futboll, ku besoj se shumë shpejtë do të kemi edhe ndeshje kualifikuese për shtetin e Kosovës”, thekson Sanije Krasniqi. Edhe për trajnerin Arbnor Morina, infrastruktura mbetet “thembër e Akilit” në sportin kosovar.
“Ajo çka mund të them është se për këto 6 vjet ne kemi stagnuar në rregullimin e infrastrukturës, pasi kemi pasur mundësi të bëjmë më shumë. Sa i përket trajnerëve, ne i kemi përcjellë trendet me vendet tjera që janë të domosdoshme për arritjen e sukseseve, ndërkohë që kemi prodhuar edhe futbollistë që tashmë mbrojnë ngjyrat në shtete të ndryshme të Evropës. Sporti te ne është i lidhur ngushtë me gjendjen financuare dhe infrastrukturën andaj në ketë drejtim është dashur të bëjmë më shumë, ndonëse edhe kjo që kemi arritur nuk është për t’u nënçmuar. Është e qartë se në garat ekipore kemi ngecje, ndërkohë që në ato individuale punët po shkojnë shumë më mirë”, shprehet Arbnor Morina. /Zëri/Telegrafi/