Telegrafi

Përparim Hetemaj ndihmon Drenicën (Foto)

Anëtari i përfaqësueses së Finlandës i ka bërë një ndihmë të madhe klubit të futbollit Drenica, para fillimit të stinorit pranveror, transmeton Telegrafi.

Hetemaj i ka dërguar rreth 20 palë këpucë sportive klubit, ku lojtarët kanë mbathur ato dhe e kanë falënderuar mesfushorin e Chievos për ndihmën e bërë, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Këto këpucë sportive në klubin e Drenicës kanë ardhur nga futbollisti i saj Hysen Tahiri, i cili është i afërt me lojtarin dhe ka publikuar foton në profilin e tij në Facebook.

Kjo nuk është hera e parë që ylli kosovar ndihmon klubin e tij Drenicën. Ai të njëjtën gjë e ka bërë edhe më parë, ndërsa ka premtuar edhe ndihma të tjera për ‘kuqezinjtë’.

Drenica si synim kryesor këtë edicion ka fitimin e trofeut të Kupës së Kosovës. /Telegrafi/