Site icon Telegrafi

Përparim Hasani tërhiqet nga referimi

Lajmin e ka konfirmuar vetë gjyqtari i cili thotë se këtë po e bën shkaku i moshës dhe për t’u dhënë hapësirë të rinjve. ‘Përlle’, minutat e fundit në të cilat do t’i bie ‘bilbilit’ të tij janë në ndeshjen Prishtina – Yjet, ku edhe do të përshëndet nga kjo ‘zeje’.

Përparim Hasani në një intervistë për ‘Sport Plus’ është rrëfyer për karrierën e tij. “Unë kam filluar të merrem me referim me insistimin e të ndjerit, ish-gjyqtarit, Ilmi Berisha. Kurse pasi jam futur në referim dhe futjes në Superligë, Ismajl Kosumi që në atë kohë ka qenë në komision më ka përkrahur shumë dhe më ka lehtësuar punën”, u shpreh fillimisht Hasani.

Ai tregoi edhe për ndeshjen që i kanë ofruar kënaqësi gjatë referimit. “Vërtet ka qenë kënaqësi të gjykohet përballja mes dy skuadrave nga Gjilani, Dritës dhe Gjilanit në ndeshjet e tyre të ndërsjella. Aty është krijuar një atmosferë mjaft e mirë dhe ka qenë kënaqësi për mua që kam pasur rastin t’i gjykojë ndeshje të tilla. Normalisht e rëndësishme dhe kënaqësi ka qenë edhe takimi Trepça – Besa, në kohën kur Trepça u shpall kampione”, deklaroi Hasani.

Genc Nuza, Besfort Kosumi, Mervan Bejtullahu e Fatmir Tahiri, janë gjyqtarët që sipas Hasanit kanë perspektivë nga gjyqtarët e rinj në Kosovë. Ai ka një porosi për të gjithë gjyqtarët e rinj. “Porosia ime e vetme është që të punojnë shumë dhe të jenë shumë të ndershëm. Thjesht mos të hyjnë në ujëra të këqija, t’i bie shkurt, mos të korruptohen. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të arrijnë në karrierën e tyre. Të gjithë gjyqtarëve të rinj ju dëshiroj suksese”, porosit Hasani.

Hasani është një ndër gjyqtarët më të respektuar në Kosovë dhe në karrierën e tij ka referuar më shumë se 300 ndeshje në Superligë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version