Site icon Telegrafi

Përparim Dushi rikthehet me fitore: E kam pritur, shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm

(Foto: Facebook/FASK Kosova)

Përparim Dushi, pas një mungese të gjatë, është kthyer në mënyrën më të mirë të mundshme në garat e disiplinës malore. Anëtari i Prishtina Racing Team, ka triumfuar në garën ‘Kulla 2023’, e para për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm për këtë disiplinë.

“Zhuqa” me Mitsubishi Evo 9, shtegun me gjatësi prej 5.6 kilometra e kaloi për kohën 03:18.721 dhe 03:22.408 minuta (06:41.129 përfshirë dy vozitjet), me shpejtësinë mesatare prej 100.515 kilometra në orë.

Në pozitën e dytë u rendit Valdet Kaçandolli, i cili ishte fantastik në vozitjen e dytë. Ai me Suzuki Swift në cak arriti për kohën 03:13.932 minuta, por u penalizua nga vozitja e parë në të cilën pati kohë 03:35.218 minuta.

I treti në plasmanin e përgjithshëm u rendit Ernest Daka me BMW M3, me kohë 03:24.294 dhe 03:25.462 minuta.

“Jam i kënaqur me paraqitjen e sotme. E kam pritur fitoren, pavarësisht se konkurrenca ishte e madhe. Realisht kam pasur mundësi të kem rezultat edhe më të mirë, por nuk kam dashur të rrezikoj. Në përgjithësi gara ishte shumë e mirë”, ka thënë Dushi për faqen zyrtare të FASK-ut.

Ai është optimist për rezultate të tilla edhe në garat e ardhshme: “Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm edhe në vazhdim të kampionatin në mënyrë që të renditem sa më mirë në plasmanin përfundimtar”.

Exit mobile version