Indeksi i klimës së biznesit për industrinë dhe tregtinë në Gjermani, IFO, është rritur në nivelin 105.5 në muajin dhjetor, nga 104.7 që ishte një muaj më parë.
Ndërkohë parashikimi për muajt në vijim duket edhe më pozitiv. Rënia e çmimeve të naftës dhe një rënie në normën e shkëmbimit të monedhës së përbashkët evropianë mund të cilësohen me plot të drejtë si dhurata e fund-vitit për ekonominë e Gjermanisë.
Në sektorin e prodhimit klima e biznesit ka vazhduar në përmirësim të dukshëm. Eksportet janë ato që mbështesin më së shumti sektorin e prodhimit në Gjermani. Në drejtim të shitjes me shumicë indeksi i klimës së biznesit ka rezultuar në rritje për të tretin muaj me radhë.
Në të kundërt, indeksi i klimës i cili i referohet sektorit të shitjeve me pakicë duket se ka rezultuar në rënie. Gjithashtu shitësit me pakicë, ndryshe nga përfaqësuesit e bizneseve në sektorë të tjerë, janë treguar më pesimistë për muajt e ardhshëm, duke parashikuar kohë të zymta për aktivitetet e tyre.
Për sa i përket sektorit të ndërtimit, indeksi edhe pse mbetet në nivel tepër të lartë, duket se ka rezultuar në një rënie drastike krahasuar me një muaj më parë. Për sa i përket sektorit të shërbimeve ideksi i klimës së biznesit gjatë muajit dhjetor është regjistruar në rritje, duke arritur një balancë prej 25.6 pikësh, nga 19.4 pikë që ishte një muaj më parë.
Përfaqësuesit e këtij sektori duket se japin parashikime tepër optimiste për muajt në vijim, duke dhënë edhe pritshmëritë më të larta që prej muajit korrik të vitit 2011. /Telegrafi/