Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, ka vendosur 45 shtylla betoni për tension të mesëm dhe tri kilometra shtrirje largpërçuesi në fshatin Uglarë të Komunës së Gjilanit.
Ky investim do ta përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për 1179 ekonomi familjare dhe biznese të kësaj zone.
Projekt i radhës i KEDS siguron furnizim me tension stabil, rënie të humbjeve në rrjet, dhe eviton rrezikun nga ekzpozimi ndaj rrjetit të vjetëruar.
Përveç fshatit Uglarë, ky projekt përmirëson furnizimin me energji elektrike edhe në fshatrat përreth, sepse nga largpërçuesi i Uglarës furnizohet një pjesë e rajonit të Anamoravës.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS, thotë se me investime të tilla, po përmbushet premtimi për modernizimin e rrjetit elektrik në Kosovë.
“KEDS shtrin investimet sipas master planit në të gjithë territorin e Kosovës. Edhe Gjilani si qytetet e tjera është prioritet i investimeve tona”, ka thënë Buzhala.
“Në këtë rast, nga investimi ynë në Uglarë, cilësi të mirë të furnizimit me energji elektrike do të kenë 1200 familje dhe biznese, dhe kjo na gëzon për vet faktin se po përmbushim premtimin tonë se do të modernizojmë rrjetin elektrik deri në shtëpinë e fundit”, ka shtuar ai.
Arbëresha Kryeziu-Hyseni, banore në Uglarë, e ka mirëpritur investimin nga KEDS, duke thënë se rrjeti i vjetëruar ka paraqitur probleme me furnizim me energji elektrike.
“Ka pasur intervenime në trafo, në largpërçues. Janë vendosur edhe shtyllat e reja në tërësi. Si banore, pres nga KEDS-i që investimet e tilla mos të ndalen, meqë problemet këtu janë ndër vite sa i përket rrjetit të vjetëruar”, thotë ajo.
Fshati Uglarë gjendet rreth 5 kilometra nga qendra e Gjilanit. Aty jetojnë rreth 1500 banorë.
Kohë më parë, edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishte treguar për nevojën e investimit në rrjetin e vjetëruar në komunën që ai drejton.
Ai ka thënë se Komuna e Gjilanit dhe KEDS kanë pasur bashkëpunim të mirë.
“Ne kemi pasur bashkëpunim gjatë realizimit të projekteve të Komunës që i kemi bërë në infrastrukturë publike. Natyrisht, presim nga menaxhmenti i KEDS-it që do të bëjë investimet e domosdoshme sepse është obligim i tyre që t’ua përmbushin nevojat qytetarëve”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/