Site icon Telegrafi

Përmes një letre drejtuar Senatit, Biden zbuloi sa ushtarë amerikanë gjenden në Evropë

Rreth 80 mijë trupa amerikane janë vendosur në vendet evropiane të NATO-s për të mbështetur aleatët amerikanë dhe për të parandaluar agresionin e mëtejshëm rus.

Ky informacion përmendet në një letër nga presidenti amerikan, Joe Biden, drejtuar Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe presidentit të Senatit, në lidhje me raportin për kompetencat luftarake të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Në letër thuhet se, “në promovimin e përpjekjeve kundër terrorizmit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerë në mbarë botën”.

“Brenda këtij konteksti, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar forca për të kryer operacione kundër terrorizmit si dhe për të këshilluar, ndihmuar dhe mbështetur forcat e sigurisë së partnerëve të zgjedhur të huaj në operacionet kundër terrorizmit”, theksohet në letër.

Përveç kësaj, raporti përmend se rreth 80 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane janë të stacionuar në vendet evropiane të NATO-s.

“Rreth 80 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara janë caktuar ose vendosur në vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Evropë, përfshirë ata që janë vendosur për të siguruar aleatët tanë dhe për të parandaluar agresionin e mëtejshëm rus”, thuhet në letër.

Në fillim të vitit 2022, Biden miratoi zyrtarisht dislokimin e trupave shtesë amerikane në Evropën Lindore, për shkak të kërcënimeve të agresionit rus. /Telegrafi/

Exit mobile version